Pas rizgjedhjes në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes votëbesimit, kryetari Lumir Abdixhiku ka theksuar rolin e LDK-së në dialogun politik në vend, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me të gjithë spektrin politik për gjetjen e një zgjidhjeje konsensuale për presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës.
Abdixhiku theksoi se marrëveshjet politike nuk nënkuptojnë pazare, por dialog të sinqertë për të siguruar stabilitet institucional. Sipas tij, presidenti i ardhshëm duhet të jetë figurë unifikuese dhe përfaqësuese e unitetit kombëtar.
“Jam i gatshëm të flas me të gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje çështjes së presidentit që duhet të jetë konsensual dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Kreu i LDK-së u shpreh i prerë edhe sa i përket respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ato nuk janë opsionale për partinë që ai drejton. Ai rikujtoi se LDK-ja ka zbatuar vendimet e Kushtetueses edhe atëherë kur ato kanë ndikuar drejtpërdrejt në pozitat e saj politike.
“LDK-ja nuk heziton t’i implementojë në plotni vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pa asnjë hezitim. Nëse vendimet e Gjykatës bëhen opsionale, atëherë nuk ka më shtet e as demokraci”, theksoi Abdixhiku.
Në fjalën e tij pas Kuvendit zgjedhor të partisë, Abdixhiku bëri thirrje për unitet dhe bashkim të të gjithë anëtarëve të LDK-së, duke e cilësuar rimëkëmbjen e partisë si rrugën e vetme përpara.
“Kjo nuk bëhet me logjikën e fituesit apo humbësit, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë”, tha ai, duke ftuar edhe të pakënaqurit, të larguarit dhe të dorëhequrit që të rikthehen në shtëpinë e tyre politike.
Ai vlerësoi procesin demokratik të Kuvendit të LDK-së, i cili zgjati mbi shtatë orë, duke e cilësuar si shembull të demokracisë së brendshme partiake. Abdixhiku theksoi se Kuvendi miratoi dy deklarata, një për gjendjen politike në vend dhe një për riorganizimin e partisë, pa diskutuar për koalicione apo pozita konkrete.
Në fund, Abdixhiku njoftoi se partia do të hyjë në një proces ristrukturimi 100-ditor dhe se asnjë anëtar i LDK-së nuk do të mbajë më shumë se një funksion, me synimin për forcimin e stabilitetit dhe funksionalitetit të partisë, transmeton rtk.




