(Ekskluzive) Të premtën mbrëma (20.12.2024) na pret super meçi i boksit. Po pra, kanë mbetur edhe pak orë, deri te meçi i boksierit, Jurgen Uldedaj me prejardhje nga Lezha, bashkëkombasi ynë, që do të kërkojë mbrojtjen e titullit IBF International. Ka ditë, që në gjithë Zvicrën, mërgata jonë po përgaditet për ta përcjellur dhe për ta përkrahur me shpirt, Jurgenin për një fitore. Edhe pse nga nesër, pra me datë 20 dhjetor (e premte), do të fillojnë pushimet për festat e fundvitit, ka shumë mërgimtarë, që do të shkojnë të shtunën, vetëm e vetëm për ta përkrahur Jurgenin. Kundërshtari i tij do të jetë boksieri i njohur Edin Puhalo. Një fitore e mundshme do të ishte shumë e rëndësishme për Uldedajn.
Kjo pasi 27-vjeçari do të pozicionohej në mesin e 15 boksierëve më të mirë nga katër federatat kryesore të boksit profesionist (WBO, WBA, IBF, WBC). Jurgen Uldedaj njihet për korrektësinë në punë dhe është në gjendje super të mirë. Ditë më parë, mbështetje mori edhe nga Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Bernë të Zvicrës, Shkëlqesia e Tij, z.Rexhep Demiri, shumë afaristë, intelektualë, atdhetarë, sportistë, si dhe nga z. Florim Useini i cili ka shfrytëzuar gjithë kohën e tij për ti njoftuar bashkatdhetarët tanë për të ardhur të premtën e për ta përkrahur. Sot në ora 18.00 në Spreitenbach të Zvicrës, pak kilomentra nga Cyrihu ishin edhe matjet e fundit dhe konferenca për media.
Se si ka shkuar ai moment me plot emocione, na përshkruan me disa fjalë, z.Florim Useini, veprimtar i njohur që jeton e vepron në Zvicër i cili këto ditë ka qëndruar së bashku siç e përmendëm edhe më lart edhe me babain e boksierit të mirënjohur, Jurgen Uldedaj, z. Tonin Uldedaj për ta përkrahur dhe për ti njoftuar bashkëkombasit tanë për meçin e nesërm. Edhe z.Gjoke Uldedaj, xhaxhai i Jurgenit ka ardhur për ta përkrahur nipin e tij. Shumë miq e familjarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi nga e gjithë evropa, do ta përkrahin nesër Jurgenin dhe presin fitore.
Ja se çka na tha, Florim Useini:
„Sonte, një ngjarje e jashtëzakonshme e mbushur me energji dhe emocion ka ndodhur në konferencën për media të boksierit të njohur shqiptar, Jurgen Uldedaj, që u mbajt në Hilton në Spreitenbach, i cili nesër do të ngjitet në ring për të përfaqësuar jo vetëm veten, por dhe çdo shqiptar që beson në fuqinë e sportit dhe në mundësitë e pafundme që na ofron.
Ky është një moment i rëndësishëm, pasi Juorg ka përgatitur çdo detaj me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe është gati për të dhuruar një paraqitje të mrekullueshme, duke synuar fitoren dhe lavdinë e kombit shqiptar.
Në këtë konferencë, morën pjesë personalitete të rëndësishme, përfshirë Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut, z. Rexhep Demiri, i cili theksoi se ky është një moment krenarie dhe bashkëpunimi për të mbështetur boksin shqiptar, një sport që po bëhet gjithnjë e më i fortë dhe i dashur për kombin tonë.
Njëkohësisht ju uroj fitoren edhe boksierve shqiptar si Alban Beqiri, Isuf Kelmendi dhe Ramadan Hiseni. Ne e dimë se nesër nuk është vetëm një sfidë sportive, por një mundësi për të treguar botës se shqiptarët janë të fortë, të vendosur dhe të paepur.
Ju ftojmë të gjithëve, dashamirës të sportit dhe qytetarë krenarë, të bashkoheni me ne nesër, për të mbështetur Juorg Uldedaj dhe për të festuar së bashku këtë fitoren e madhe që do të jetë një simbol i mundësive të pafundme të shqiptarëve.
Jemi të gatshëm për fitoren, dhe me mbështetjen e çdo shqiptari, nesër do të shkruajmë një tjetër kapitull të lavdishëm në historinë e sportit shqiptar!“. Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, z.Rexhep Demiri do të jetë i pranishëm në ate ngjarje të madhe sportive, por edhe shumë mysafirë të tjerë nga të gjitha trevat shqiptare. Babai i Jurgenit, ka qëndruar në Zvicër për disa ditë dhe ka takuar shumë mërgimtarë, ku është kënaqur me sukseset që kanë arritur mërgata jonë.
Edhe ai tha, se jo rastësisht, Jurgeni ka zgjedhur Zvicrën, këtë shtet mik të kombit tonë, sepse në këtë shtet jetojnë edhe veprojnë jo më pak se mbi 400.000 shqiptarë. Përkrahja e mërgatës për djalin tim do të ishte e nevojshme, sepse Zvicra njihet edhe për përkrahjen e sportistëve tanë shqiptarë që jetojnë e veprojnë në këtë shtet. Ka shumë sportistë të boksit dhe sporteve të tjera luftarake, por edhe të futbollit që i njohim të gjithë, bashkëkombas të të gjitha trevave shqiptare. Z.Uldedaj, shpreson, se do ta ketë përkrahjen djali i tij nga e gjithë mërgata nesër në Dübendorf dhe do të festojmë kuq e zi.
Sipas informacioneve që ka siguruar helveticALforum, ka ende bileta të lira, prandaj, ata bashkëkombas që nuk kanë mundur të sigurojnë bileta, munden të drejtohen që tash tek z.Useini në këtë numër të telefonit 078 24 050 00 dhe biletën do ta keni të gatshme me vend special e me çmim të arsyeshëm.
Ia vlenë na thotë edhe vetë z.Useini, që të jemi pjesë e asaj ngjarjeje të madhe sportive dhe mbi të githa në prag të festave ta kemi fitoren e Urgenit. Shumë breza që i ka fituar Jurgeni, patën mundësi që ti kenë në duar edhe Ambasadori, Demiri, Florim Useini dhe disa sportëdashësh dhe bashkatdhetarë.
Jurgeni me pak fjalë, shpreson shumë, se do ta ketë përkrahjen e vëllezërve të tij të një gjuhe, gjaku e flamuri dhe i bënë thirrje, ejani se më duhet përkrahja shqip dhe vetëm shqip. Unë jam aty, eja edhe ti, është moto e njohur që e tha ndër të parët, Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë të Zvicrës, z.Rexhep Demiri. Mediat më prestigjioze evropiane do ta përcjellin meçin dhe meçet tjera, ku do të jenë edhe disa bashkëkombas të tjerë. Presim fitore! Emocionet e mëdha të një super meçi të boksit po afrohen!
Jurgen Uldedaj
I lindur më 26.gusht 1997 në Lezhë të Shqipërisë
1.87 cm
Gjatë karrierës së tij, ka zhvilluar 17 meçe, prej tyre 16 me fitore.
helveticALforum.ch