Përdorimi i tepruar dhe i papërshtatshëm i antibiotikëve po përshpejton përhapjen e baktereve rezistente, duke e kthyer rezistencën antimikrobike në një nga kërcënimet më serioze për shëndetin publik. Ekspertët kërkojnë masa të koordinuara që përfshijnë njerëzit, kafshët dhe mjedisin.
Rezistenca antimikrobike po bëhet një sfidë gjithnjë e më shqetësuese për shëndetin publik në Evropë dhe në mbarë botën. Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), ky fenomen shkakton rreth 35 mijë vdekje çdo vit në Bashkimin Evropian, duke përbërë një barrë shëndetësore të krahasueshme me atë të gripit, tuberkulozit dhe HIV/AIDS-it së bashku.
Antibiotikët, të cilët kanë revolucionarizuar mjekësinë moderne dhe kanë shpëtuar miliona jetë, po humbasin gradualisht efektivitetin për shkak të përdorimit të tepërt dhe jo të duhur. Si pasojë, disa baktere kanë zhvilluar aftësinë për t’u rezistuar ilaçeve që më parë arrinin t’i luftonin ato.
Për pacientët e prekur nga infeksione të tilla, trajtimi bëhet shumë më i ndërlikuar. Në disa raste, mjekët detyrohen të përdorin kombinime të ndryshme antibiotikësh, por edhe këto mund të mos japin rezultat. Ekspertët paralajmërojnë se në rastet më të rënda, infeksionet rezistente mund të përfundojnë me humbje jete.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh në dritën e parashikimeve globale. Një studim i publikuar në revistën shkencore The Lancet vlerëson se rezistenca bakteriale ndaj antimikrobikëve mund të shkaktojë drejtpërdrejt rreth 39 milionë vdekje në mbarë botën gjatë periudhës 2025–2050.
Përdorimi i antibiotikëve dhe ndotja, faktorë kryesorë të rrezikut
Ndër shkaqet kryesore të përhapjes së këtij fenomeni renditen përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve te njerëzit dhe kafshët, higjiena e pamjaftueshme dhe ndotja e mjedisit. Bakteret rezistente dhe materiali i tyre gjenetik mund të përhapen ndërmjet njerëzve, kafshëve dhe mjedisit, duke e bërë problemin edhe më kompleks.
Për këtë arsye, studiuesit po kërkojnë zbatimin e një strategjie më gjithëpërfshirëse, të njohur si “Një Shëndet” (One Health). Kjo qasje mbështetet në parimin se shëndeti i njerëzve, kafshëve dhe mjedisit është i ndërlidhur dhe se parandalimi kërkon bashkëpunim ndërmjet të gjitha këtyre sektorëve.
Ekspertët theksojnë se zgjidhja nuk qëndron vetëm te zbulimi i antibiotikëve të rinj. Një rol të rëndësishëm mund të luajnë edhe vaksinat, të cilat parandalojnë infeksionet dhe reduktojnë nevojën për përdorimin e antibiotikëve.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përdorimi më i gjerë dhe më efektiv i vaksinave mund të ulë konsumin global të antibiotikëve me rreth 2.5 miliardë doza në vit.
Nevojitet një strategji e përbashkët
Përveç vaksinimit dhe përdorimit të përgjegjshëm të antibiotikëve, studiuesit vënë theksin edhe te ruajtja e shëndetit të përgjithshëm, veçanërisht te të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar, të cilët janë më të ekspozuar ndaj infeksioneve.
Po ashtu, rëndësi të veçantë ka mbrojtja e baktereve të dobishme që jetojnë në organizmin e njeriut dhe që ndihmojnë në parandalimin e infeksioneve. Përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve dhe dezinfektantëve mund të dëmtojë këtë ekuilibër natyror.
Ekspertët kërkojnë gjithashtu përmirësimin e trajtimit të ujërave të zeza, kontroll më të mirë të ndotjes dhe garantimin e standardeve shëndetësore për kafshët përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor.
Në këtë drejtim, rezistenca antimikrobike nuk mund të trajtohet vetëm si një çështje e sistemit shëndetësor. Ajo kërkon politika të koordinuara, përgjegjësi institucionale dhe ndërgjegjësim të qytetarëve, në mënyrë që antibiotikët të mbeten efektivë edhe për brezat e ardhshëm. /BW










