Një studim i gjerë shkencor, që përfshiu rreth 2.8 milionë njerëz, ka zbuluar se pirja e duhanit lidhet me rritjen e rrezikut për zhvillimin e demencës, sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës vaskulare. Sipas studiuesve, rreziku bëhet edhe më i lartë në varësi të numrit të cigareve të konsumuara çdo ditë. Studimi, i udhëhequr nga hulumtues të Universitetit Curtin në Australi dhe i publikuar në revistën shkencore “eClinicalMedicine”, tregon se duhanpirësit kanë 31 për qind më shumë gjasa të zhvillojnë demencë, krahasuar me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan. Të dhënat tregojnë se rreziku është edhe më i lartë për disa forma të kësaj sëmundjeje. Për zhvillimin e Alzheimerit, ai rritet me 40 për qind, ndërsa për demencën vaskulare arrin në 52 për qind. Një nga gjetjet kryesore të hulumtimit është lidhja ndërmjet sasisë së duhanit të konsumuar dhe rrezikut për dëmtimin e shëndetit të trurit. Personat që pinë rreth 10 cigare në ditë kanë 16 për qind më shumë rrezik për demencë, ndërsa te ata që konsumojnë 20 cigare në ditë, ky rrezik arrin në 34 për qind, krahasuar me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan.
Studiuesi kryesor, Mario Serfo, ka theksuar se këto rezultate tregojnë nevojën për t’i kushtuar më shumë vëmendje ndikimit të duhanit në shëndetin e trurit, përveç pasojave të njohura që ai shkakton në zemër, mushkëri dhe rritjes së rrezikut për kancer.
Megjithatë, studimi sjell edhe një të dhënë inkurajuese. Sipas studiuesve, personat që e kanë lënë duhanin nuk rezultojnë të kenë rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës, krahasuar me ata që nuk kanë pirë kurrë duhan. Rreziku i tyre është gjithashtu më i ulët se ai i personave që vazhdojnë të pinë duhan.
Bashkautorja e studimit, Blossom Stephan, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së shëndetit të trurit në diskutimet publike për pasojat e duhanpirjes dhe përfitimet që sjell ndërprerja e saj. Studiuesit u bëjnë thirrje institucioneve shëndetësore që të zgjerojnë fushatat kundër duhanit, duke përfshirë edhe paralajmërimet për ndikimin e tij në kujtesë, funksionet njohëse dhe shëndetin e përgjithshëm të trurit. Duhet theksuar se studimi nuk dëshmon një lidhje të drejtpërdrejtë shkakësore ndërmjet pirjes së duhanit dhe demencës. Megjithatë, rezultatet e tij përforcojnë provat shkencore se duhanpirja lidhet me rrezik më të lartë për këto sëmundje dhe se lënia e duhanit mund të jetë një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit, përfshirë edhe atë të trurit, transmeton euronewsal.










