Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për kërkesën që Samiti i NATO-s të zhvillohet në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për kostot financiare që do të përballohen nga taksapaguesit shqiptarë.
Në një lidhje live për emisionin “Prime News24”, Malaj deklaroi se organizimi i samitit kushton rreth 160 milionë euro, ndërsa sipas tij, vetëm 10 për qind e kësaj shume mbulohet nga NATO. Pjesa tjetër, që përllogaritet në rreth 145 milionë euro, do të rëndojë mbi buxhetin e shtetit. Malaj kritikoi gjithashtu mënyrën e qeverisjes së Ramës, duke thënë se kryeministri është i rrethuar nga njerëz që nuk i japin mendime të kundërta dhe nuk reflekton mbi vështirësitë ekonomike të qytetarëve.
“Ata kanë krijuar një betonizim të vetvetes dhe nuk dëgjojnë asnjë njeri tjetër që u jep mendim të kundërt. Ai jeton në botën e vet. Vajti dhe kërkoi që Samiti i NATO-s të bëhej në Shqipëri, kur samiti është 160 milionë euro. Vetëm 10 për qind paguan NATO”, u shpreh ish-ministri.
Më tej, Malaj ngriti pikëpyetje mbi leverdinë e organizimit të këtij aktiviteti, duke theksuar se një shumë e konsiderueshme parash do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.
“Çfarë pune kemi ne për një samit, çfarë impakti do t’i japë Shqipërisë, kur 145 milionë euro janë në kurriz të shqiptarëve? Jep para për koncerte, për gjithçka dhe harron në çfarë faze të keqe janë shqiptarët, ku vetë Instituti i Statistikave thotë se 40 për qind e shqiptarëve nuk përballojnë dot shpenzimet mujore. E ka humbur ndjesinë njerëzore”, deklaroi Arben Malaj./BW










