Futbollisti Lutfi Dalipi, i cili po kalon një formë të shkëlqyer me skuadrën e Vaduzit në futbollin zviceran, ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kështu bëjnë të ditur burime brenda Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërsa zyrtarizimi i vendimit të tij pritet të bëhet së shpejti.
Dalipi ka qenë një nga emrat më të përfolur në futbollin zviceran gjatë këtij edicioni, duke u shndërruar në një nga sensacionet e sezonit.
Futbollisti i talentuar kishte refuzuar ftesën e U21 të Zvicrës, duke e njoftuar Federatën Zvicerane se dëshiron të luajë për Kosovën ose Shqipërinë. Ky vendim lidhet edhe me një premtim që, sipas raportimeve, ia kishte dhënë gjyshit të tij. Përveç kësaj, Dalipi pritet të jetë në Prishtinë të premten, ndërsa të shtunën do ta ndjekë nga afër ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 15:00, në kuadër të Ligës së Kombeve./BS










