BallinaSportiShqipëria feston dhe pret finalen për vendin e parë të dielën

Shqipëria feston dhe pret finalen për vendin e parë të dielën

-

Kombëtarja e Shqipërisë ka festuar në stadiumin “Air Albania”, duke mposhtur me rezultat 2:0 Finlandën, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e pestë të Grupit 1 në Ligën C të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë zhvilluan një paraqitje shumë të mirë dhe me meritë arkëtuan tri pikët e radhës, duke vazhduar garën për vendin e parë në grup dhe rikthimin në Ligën B.

Shqipëria – Finlanda 2:0
Stadiumi “Air Albania” në Tiranë.
Shikues: 17.000.
Shënues: Muçi (35′), Manaj (50′).
Kartona të verdhë:Ramadani – Walta, Markhiev.
Kartoni i kuq: Tenho.

Shqipëria: Berisha; Pilo (Uzuni (90′), Gjimshiti, Ismajli, Hysaj; Mitaj, Ramadani (Shehu 70′), Laçi (Hasa 82′); Asllani, Manaj (Daku 70′) dhe Muçi (Hoxha 82′). Finlanda: Hradecky; Mahuta, Koski, Tenho, Stahl (Miettinen 59′), Keskinen (Hyrylainen 71′); Jensen (Ivanov 77′), Marhiev (Suhonen 77′), Walta; Kallman dhe Antman (Pohjanpalo 59′).
Finlanda mbeti me një futbollist më pak nga minuta e 67-të, kur Tenho u ndëshkua direkt me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Ernest Muçit. Në minutën e 22-të, Ernest Muçi provoi nga distanca, rreth 19–20 metra, me një goditje të ulët drejt këndit të majtë, por portieri finlandez u tregua i vëmendshëm.
Vetëm një minutë më vonë, Kristjan Asllani pati një mundësi të mirë. Mesfushori shqiptar goditi nga rreth 18 metra, por Lukas Hradecky reagoi me sukses, duke e ndalur topin në këndin e poshtëm të djathtë.

Në minutën e 33-të, Asllani provoi sërish nga rreth 18–19 metra, por goditja e tij nuk e befasoi portierin kundërshtar.

Megjithatë, në minutën e 35-të erdhi momenti i madh i ndeshjes. Ernest Muçi lëshoi një predhë nga rreth 14–15 metra, nga krahu i djathtë, duke e dërguar topin fuqishëm në këndin e djathtë të portës finlandeze. Hradecky ishte i pafuqishëm përballë kësaj goditjeje fantastike.

Një eurogol i Muçit për epërsinë 1:0 të Shqipërisë!

Në pjesën e dytë, kuqezinjtë vazhduan me të njëjtin ritëm. Në minutën e 50-të, Elseid Hysaj krosoi për mrekulli në zonë, ndërsa Rei Manaj goditi bukur me kokë dhe e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 2:0. Në minutën e 67-të, Finlanda pësoi një goditje tjetër. Tenho ndërhyri në mënyrë të palejuar ndaj Ernest Muçit dhe gjyqtari e ndëshkoi direkt me karton të kuq, duke e lënë Finlandën me dhjetë futbollistë.

Me këtë fitore, Shqipëria kryeson Grupin 1 me 12 pikë, e ndjekur nga Bjellorusia me 10 pikë, Finlanda me 7 dhe San Marino pa pikë.
Shqipërinë tani e pret përballja vendimtare me Bjellorusinë, të dielën në Budapest, me fillim nga ora 18:00.

Kuqezinjve u mjafton vetëm një pikë për të siguruar vendin e parë në grup dhe rikthimin në Ligën B të Ligës së Kombeve./K.Goca/BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Italia ka shënuar një fitore të rëndësishme ndaj Francës

0
Kombëtarja franceze e mposhti Italinë me rezultat 3:1 në ndeshjen e vlefshme për Ligën A të Ligës së Kombeve në futboll. Me këtë triumf,...