Maqedonci dhe Jashari vizitojnë ekipet mjekësore të FSK-së, të cilat po vlerësohen nga ekspertët e NATO-s për nivelin e profesionalizmit dhe gatishmërisë operacionale.
Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon avancimin e kapaciteteve të saj profesionale dhe operacionale, me synimin e përafrimit të plotë me standardet e NATO-s. Në këtë kuadër, dy ekipe mjekësore të FSK-së janë duke iu nënshtruar procesit të validimit të kapaciteteve mjekësore të nivelit Role 1, një hap i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të mjekësisë ushtarake në Kosovë. Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe drejtorin e NALT-it, gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff, kanë vizituar dy ekipet mjekësore për t’u njohur nga afër me përgatitjet, aftësitë profesionale dhe nivelin e gatishmërisë së tyre. Gjatë vizitës, delegacioni është informuar për kapacitetet operacionale të ekipeve, përgatitjet e realizuara dhe ecurinë e procesit të validimit, i cili po zhvillohet nga Qendra e Ekselencës së NATO-s për Mjekësinë Ushtarake.
Validimi i kapaciteteve Role 1 paraqet një etapë të rëndësishme në forcimin e shërbimeve mjekësore të FSK-së, duke synuar ngritjen e standardeve profesionale, përmirësimin e gatishmërisë dhe përafrimin me kërkesat e Aleancës Veri-Atlantike. Ky proces dëshmon përkushtimin institucional të Kosovës për ndërtimin e një force të sigurisë gjithnjë e më profesionale, të përgatitur dhe të aftë për të përmbushur standardet ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes dhe të mjekësisë ushtarake. Përmes investimit në profesionalizëm, trajnim dhe kapacitete të specializuara, FSK-ja po vazhdon rrugën e saj drejt forcimit të ndërveprueshmërisë me NATO-n dhe ndërtimit të një strukture moderne të mbrojtjes./BS










