Ka pak të dhëna publike dhe mungojnë dokumentet që do të dëshmonin historinë e tyre, por përmasat e tuneleve austro-hungareze në majën e Kunorës, në Pllanë të Lezhës, flasin vetë. Të gdhendura në trupin e malit më shumë se një shekull më parë, ato nuk janë thjesht gjurmë të së shkuarës, por dëshmi e një vepre të jashtëzakonshme ushtarake.
Të vendosura në një zonë me potencial turistik, tunelet përbëjnë një tjetër arsye për të eksploruar Pllanën. Gjurmët e rrugës që të çon drejt majës e bëjnë ngjitjen pjesë të një udhëtimi që ndërthur natyrën me historinë. Historiani Paulin Zefi rrëfen përmasat e këtij kompleksi, mënyrën se si është konceptuar dhe rëndësinë që ai mund të ketë pasur për ushtrinë austro-hungareze.
Një nga misteret që i shoqëron këto tunele është mungesa e të dhënave për ndërtimin e tyre, por edhe për mënyrën se si u përdorën në periudhën pasuese, përfshirë atë të pranisë italiane. Për të hedhur më shumë dritë mbi historinë e tyre, nevojiten kërkime të mëtejshme, veçanërisht në arkivat austriake. Përmasat e këtij kompleksi janë të pazakonta për kohën kur u ndërtua dhe, sipas historianit, nuk gjejnë lehtësisht krahasim me vepra të ngjashme në Shqipëri të asaj periudhe. Ato dëshmojnë për një organizim të mirëfilltë ushtarak dhe për një investim të konsiderueshëm nga austro-hungarezët, të cilët kishin dislokuar forca të shumta në këtë zonë.
Për vizitorin, përballja me tunelet është një përvojë e vështirë për t’u imagjinuar pa i parë nga afër. Vetëm kur depërton në brendësi kupton përmasat e veprës dhe mënyrën se si ajo është ndërtuar. Në majën e malit, hyrjet nuk dallohen lehtësisht mes shkëmbinjve, ndërsa korridoret e nëndheshme shtrihen në disa drejtime, duke krijuar një rrjet labirintik që përfundon sërish në dalje.
Qindra metra tunele, me përmasa të konsiderueshme, përshkojnë brendësinë e malit dhe dalin në katër anët e tij. Organizimi i tyre nuk duket i rastësishëm. Sipas shpjegimit historik, ky kompleks lidhej me nevojën për të kontrolluar lëvizjet dhe për të mbikëqyrur hapësirën strategjike përgjatë gjirit të Drinit dhe atij të Matit.
Më shumë se 100 vjet pas ndërtimit, tunelet e Kunorës mbeten pak të njohura për publikun. Megjithatë, për ata që ndërmarrin ngjitjen drejt majës dhe zbulojnë nga afër këtë vepër të fshehur brenda malit, vizita shndërrohet në një udhëtim mes natyrës, historisë dhe një trashëgimie që ende pret të hulumtohet e të marrë vëmendjen që meriton, transmeton abcnews.










