Prishtinë – Trashëgimia letrare dhe kulturore e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, ishte në qendër të një takimi të zhvilluar sot ndërmjet presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula, dhe Besiana Kadaresë. Takimi u mbajt në kuadër të hapjes së ekspozitës “Kosova e Kadaresë”, e cila është organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së kolosit të letërsisë shqipe.
Gjatë takimit, u diskutua për kontributin e jashtëzakonshëm të Ismail Kadaresë në letërsinë dhe kulturën shqiptare, si dhe për lidhjet e veçanta që shkrimtari kishte me Kosovën.
Presidentja Shiroka Pula vlerësoi rëndësinë e kësaj ekspozite si një mundësi e veçantë për të ruajtur dhe promovuar kujtimin e veprës së Kadaresë, duke theksuar ndikimin e saj në kulturën shqiptare dhe përtej saj.
Ekspozita “Kosova e Kadaresë” synon të sjellë në vëmendje raportin e shkrimtarit me Kosovën, duke dëshmuar rëndësinë e krijimtarisë së tij në kujtesën dhe identitetin kulturor shqiptar. Përmes veprave, dokumenteve dhe kujtimeve që lidhen me jetën dhe krijimtarinë e tij, kjo ekspozitë përbën një homazh për një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare, emri dhe vepra e të cilit vazhdojnë të mbeten pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare, transmeton rtk.










