Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit albanologun dhe studiuesin e njohur të eposit shqiptar, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Gjatë takimit, i cili iu kushtua jetës dhe veprimtarisë shkencore të profesorit Neziri, u vlerësua kontributi i tij i jashtëzakonshëm në mbledhjen, dokumentimin dhe studimin e trashëgimisë gojore shqiptare.
Në këtë takim, përveç profesorit Neziri, të pranishëm ishin edhe studiuesja prof. dr. Ina Arapi, prof. dr. Ardian Ahmedaja nga Universiteti i Vjenës, studiuesi arbëresh prof. dr. Nicola Scaldaferri nga Universiteti i Milanos, si dhe e bija e profesorit, Shqipe Neziri Vela.
Kryeministri Kurti vlerësoi lart punën shumëvjeçare të Nezirit, duke theksuar rëndësinë e veçantë të angazhimit të tij në ruajtjen dhe studimin e këngëve kreshnike, si një prej pasurive më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Përmes punës së tij kërkimore dhe shkencore ndër vite, Zymer Ujkan Neziri ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin dhe ruajtjen e traditës së pasur gojore shqiptare, duke ndihmuar në përcjelljen e saj te brezat e rinj dhe në njohjen e saj në qarqet akademike vendore e ndërkombëtare.
Shënimi i 80-vjetorit të lindjes së profesorit Neziri përbën një moment vlerësimi për një jetë të përkushtuar ndaj gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar./helveticALforum.ch










