Aeroplanmbajtësja amerikane USS Theodore Roosevelt po vijon lëvizjen strategjike drejt Lindjes së Mesme, në kuadër të zhvendosjes së forcave detare të Shteteve të Bashkuara drejt rajonit. Pamjet satelitore të analizuara nga rrjeti mediatik Al Jazeera kanë identifikuar grupin e sulmit të udhëhequr nga aeroplanmbajtësja të mërkurën, në jug të Ishujve Spratly, në Detin e Kinës Jugore. Sipas pamjeve, grupi shoqërohej nga katër anije të tjera ushtarake, duke dëshmuar vijimin e itinerarit të tij drejt Lindjes së Mesme. Lëvizja e forcave amerikane nisi më 27 shtator, kur grupi detar u nis nga baza detare e San Diegos, në Kaliforni. Gjatë udhëtimit, aeroplanmbajtësja dhe anijet shoqëruese ndaluan në bazën ushtarake amerikane në Yokosuka të Japonisë, ku morën pjesë në stërvitje ushtarake përpara se të vazhdonin lundrimin drejt Detit të Kinës Jugore. Ndërkohë, sipas medias amerikane Axios, e cila citon një zyrtar të lartë ushtarak, USS Theodore Roosevelt pritet të qëndrojë për disa ditë në Singapor, duke filluar nga kjo e premte. Mbërritja e grupit të sulmit në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) nuk pritet të ndodhë përpara mesit të muajit nëntor. Zhvendosja e aeroplanmbajtëses dhe e anijeve shoqëruese përbën një lëvizje të rëndësishme të pranisë ushtarake amerikane në rrugët detare ndërkombëtare, ndërsa mbërritja e saj në Lindjen e Mesme do të shtojë kapacitetet detare të Uashingtonit në rajon, transmeton rtsh.










