Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti në një takim zyrtar ambasadoren e re të Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri, Louise Elisabeth Rigtrup Holmsgaard, e cila i paraqiti Letrat Kredenciale.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj i uroi mirëseardhjen ambasadores së re, duke e cilësuar rihapjen e Ambasadës së Danimarkës në Tiranë si një dëshmi të qartë të vullnetit të këtij vendi për të forcuar dhe thelluar më tej marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë.
Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës për forcimin e institucioneve demokratike dhe zbatimin e reformave në Shqipëri.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, për të cilin Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen ndaj Danimarkës për mbështetjen e saj të vazhdueshme.
Gjatë bisedës u diskutuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe rëndësia e koordinimit të mëtejshëm në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik.
Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët të Shqipërisë dhe Danimarkës për të konsoliduar marrëdhëniet miqësore dhe për të hapur perspektiva të reja bashkëpunimi në fusha me interes të ndërsjellë, transmeton rtsh.










