BallinaAtdheuKryetari i Kuvendit të Shqipërisë priti ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de...

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë priti ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa

-

Raporti i Progresit 2026 evidenton arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, hapjen e të gjashtë grupkapitujve të negociatave dhe mbylljen e përkohshme të katër prej tyre. Objektivi mbetet përmbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi zyrtarisht Raportin e Progresit 2026 për Shqipërinë.

Raporti paraqet një vlerësim të ecurisë së vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke evidentuar arritjet e shënuara në procesin e reformave, përparimin në negociatat e anëtarësimit, si dhe sfidat dhe prioritetet që kërkojnë angazhim të mëtejshëm institucional.

Një ndër zhvillimet kryesore të evidentuara në raport është hapja e të gjashtë grupkapitujve të negociatave, që përfshijnë 33 kapituj negociues, si dhe mbyllja e përkohshme e katër prej tyre. Këto zhvillime pasqyrojnë avancimin e procesit negociues dhe përpjekjet e Shqipërisë për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

Në raport vlerësohet gjithashtu progresi në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, rritja ekonomike dhe ulja e borxhit publik, si dhe zhvillimet në transformimin digjital, sektorin e energjisë, arsimin, shkencën dhe inovacionin.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe përputhshmërisë së plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, si dhe mbështetjes financiare që vendi përfiton në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi se institucioni që ai drejton do t’i shqyrtojë me përgjegjësi vlerësimet dhe rekomandimet e paraqitura në raport, duke vijuar angazhimin për përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian, forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe mbështetjen e reformave integruese.

Raporti përcakton gjithashtu një sërë prioritetesh për fazën e ardhshme të procesit, ku Kuvendi i Shqipërisë ka një rol të rëndësishëm në garantimin e përputhshmërisë së kuadrit ligjor me standardet europiane dhe në ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi zbatimin e reformave.

Shqipëria vijon ta konsiderojë anëtarësimin në Bashkimin Europian një objektiv strategjik kombëtar, ndërsa përmbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027 mbetet një nga synimet kryesore të procesit të integrimit.

Në këtë drejtim, Kuvendi i Shqipërisë riafirmon angazhimin e tij institucional për të përmbushur përgjegjësitë që burojnë nga ky proces, duke kontribuar në avancimin e reformave dhe në përgatitjen e vendit për anëtarësimin në familjen europiane, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Presidenti Begaj pret ambasadoren e re daneze, Louise Elisabeth Rigtrup Holmsgaard

0
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti në një takim zyrtar ambasadoren e re të Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri, Louise Elisabeth Rigtrup...