Takime diplomatike, diskutime mbi zhvillimet gjeopolitike dhe ekonomike, si dhe promovimi i komunitetit shqiptar, në fokus të vizitës në Vaduz.
Vaduz, 02 nëntor 2026 – Këshilltarja në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zvicër, znj. Shukrie Ramadani, ka marrë pjesë në një ngjarje të veçantë diplomatike, të mbajtur më 2 nëntor 2026 në Vaduz, në Principatën e Lihtenshtajnit. Siç mëson helveticALforum.ch, znj. Ramadani ka zhvilluar takime të shumta dhe ka qenë pjesë e diskutimeve të rëndësishme në kuadër të Ditës së Ambasadorëve 2026, një mbrëmje informuese kushtuar pasigurive gjeopolitike dhe perspektivave ekonomike të kësaj Principate. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka ndarë përshtypjet e saj nga kjo ngjarje, duke vënë në pah rëndësinë e takimeve diplomatike dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në përshkrimin e saj, znj. Ramadani shkruan:
“Ishte kënaqësi dhe nder i veçantë të jem pjesë e Ditës së Ambasadorëve 2026 në Vaduz, Principata e Lihtenshtajnit, më 2 nëntor, në kuadër të një mbrëmjeje informuese kushtuar pasigurive gjeopolitike dhe perspektivave ekonomike të kësaj Principate. Diskutimet mbi marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, stabilitetin institucional, sektorin financiar dhe industrial, si dhe sfidat e sigurisë kibernetike, dëshmuan rëndësinë e këtij shteti në një kontekst global gjithnjë e më kompleks. Një kënaqësi e veçantë ishte bashkëbisedimi me Brigitte Haas, Kryeministren e Principatës së Lihtenshtajnit, me të cilën pata mundësinë të diskutoj për integrimin, kontributin dhe sukseset e bashkëkombësve tanë në këtë Principatë. Lihtenshtajni është dëshmi e fuqisë së vizionit, institucioneve të qëndrueshme dhe zhvillimit të mençur. Një Principatë që, pavarësisht përmasave të saj të vogla, ka arritur të fitojë një vend të respektuar në arenën ndërkombëtare! Vizita ne muzeun e ketijē shteti tē veçantē na bindi se duke mishëruar më së miri konceptin e “shtetit të vogël me fuqi të madhe”.
Takime të tilla janë jo vetëm mundësi për shkëmbim diplomatik, por edhe për të afirmuar praninë, integrimin dhe arritjet e komunitetit tonë shqiptar në vendet ku jeton dhe kontribuon.”

Pjesëmarrja e znj. Ramadani në këtë aktivitet përbën një tjetër mundësi për prezantimin e komunitetit shqiptar dhe të arritjeve të tij në vendet ku jeton e vepron, duke dëshmuar rëndësinë e diplomacisë në forcimin e marrëdhënieve dhe të lidhjeve ndërmjet shteteve.
helveticALforum.ch










