Më 30 tetor 2026 u zhvillua konferenca shkencore ndërkombëtare “Dëshirorja në gjuhën shqipe”, organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Konferenca mblodhi studiues nga institucione kërkimore e universitare brenda dhe jashtë vendit, të cilët e shqyrtuan dëshiroren në rrafshin teorik, historik e krahasues dhe në përdorimin e saj bashkëkohor.
Punimet u përqendruan te vendi i dëshirores në sistemin modal të shqipes, zhvillimi i formave dhe kuptimeve të saj, funksionet pragmatike dhe tiparet intonacionore të fjalive dëshirore.

Kumtesat përfshinë analiza korpusore e statistikore, trajtime filologjike dhe etimologjike, shqyrtime të teksteve të vjetra, liturgjike e biblike, si dhe krahasime ndërmjet shqipes, rumanishtes dhe arumanishtes. Vëmendje iu kushtua edhe shprehjes së dëshirës në ligjërimin ritual, traditën gojore dhe narracionin.
Diskutimet pas çdo kumtese mundësuan këmbimin e mendimeve mbi të dhënat, metodat dhe interpretimet e paraqitura. Në përmbyllje u hodh ideja e organizimit të një cikli ligjëratash për shtjellimin më të hollësishëm të tezave të konferencës, me synim përgatitjen dhe botimin e një vëllimi studimor kushtuar dëshirores.










