
Këshilli Drejtues i Universitetit “Haxhi Zeka”, në mbledhjen e mbajtur më 28.10.2026, ka miratuar Planin Strategjik për periudhën 2027–2030, dokumentin themelor që përcakton vizionin, objektivat dhe prioritetet strategjike për zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit.
Plani Strategjik është hartuar mbi bazën e analizës së kontekstit të jashtëm dhe të brendshëm, misionit, vizionit dhe vlerave institucionale, si dhe gjetjeve kryesore strategjike. Ai përfshin tetë prioritete: qeverisjen dhe menaxhimin institucional; mësimdhënien dhe zhvillimin e të nxënit; menaxhimin dhe zhvillimin e cilësisë institucionale; kërkimin shkencor, artistik dhe inovacionin; dimensionin ndërkombëtar; mbështetjen e studentëve dhe zhvillimin në karrierë; ekosistemin e integruar universitar; si dhe infrastrukturën.
Kryesuesja e Këshillit Drejtues, znj. Emine Abdyli, ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe kontribuuesit për përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë hartimit të Planit Strategjik, duke vlerësuar rëndësinë e tij në përcaktimin e prioriteteve zhvillimore dhe forcimin e përgjegjësisë institucionale.
Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. dr. Armand Krasniqi, ka theksuar rëndësinë strategjike të këtij dokumenti për rikonfigurimin institucional dhe orientimin e Universitetit drejt sfidave dhe mundësive të reja në arsimin e lartë. Ai ka vlerësuar se Plani Strategjik 2027–2030 përcakton drejtimin e zhvillimit institucional për periudhën katërvjeçare, duke synuar avancimin e cilësisë akademike, fuqizimin e kërkimit shkencor, nxitjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe rritjen e kontributit të universitetit në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Njëkohësisht, Rektori ka shprehur mirënjohjen për anëtarët e Këshillit Drejtues dhe të gjithë kontribuuesit për angazhimin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë hartimit të dokumentit. Miratimi i Planit Strategjik 2027–2030 përbën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit institucional dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Universitetit “Haxhi Zeka”, duke krijuar një kornizë të qartë për realizimin e objektivave strategjike dhe avancimin e misionit të tij akademik e shkencor./UHZ










