BallinaAtdheuUkë Rugova për garën në LDK: Është pjesë e demokracisë së brendshme,...

Ukë Rugova për garën në LDK: Është pjesë e demokracisë së brendshme, vendimin për mbështetjen do ta marrim kur të vijë koha

-

Deputeti i LDK-së shpreh mirëkuptim për sfidat e Lumir Abdixhikut në krye të partisë, ndërsa deklaratat e Përparim Ramës për mundësinë e kandidimit kanë hapur debatin për udhëheqjen e ardhshme.

Edhe pse zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) pritet të mbahen në nëntor të vitit të ardhshëm, diskutimet për udhëheqjen e ardhshme të partisë kanë nisur tashmë. Deklaratat e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se është i gatshëm ta marrë drejtimin e LDK-së, si dhe reagimi i kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, kanë nxitur debat brenda subjektit politik. Deputeti i LDK-së, Ukë Rugova, në një intervistë për Ekonomia Online, i ka cilësuar zhvillimet e fundit si pjesë të demokracisë së brendshme të partisë, duke theksuar se vendimi për mbështetjen e kandidatëve duhet të merret kur të vijë koha e zgjedhjeve.

Rugova ka rikujtuar se procesi zgjedhor brenda LDK-së është paraparë të zhvillohet në nëntor të vitit të ardhshëm, kur do të bëhet e qartë se kush do të hyjë në garë për drejtimin e partisë.

“LDK-ja ka zgjedhje të rregullta vitin e ardhshëm, në nëntor të vitit të ardhshëm, dhe deri atëherë të shohim cilët kandidatë do të jenë dhe a do të vazhdojë zoti Abdixhiku, apo do të ketë kandidatura të tjera”, ka deklaruar Rugova.

Ai ka theksuar se LDK-ja ka një traditë të gjatë demokratike dhe se gara për udhëheqjen e saj duhet të zhvillohet në përputhje me këtë frymë.

Rugova nuk përcaktohet për asnjërin kandidat

I pyetur nëse do ta mbështeste Lumir Abdixhikun apo Përparim Ramën në garën e mundshme për kryetar të LDK-së, Ukë Rugova nuk ka shprehur preferencë për asnjërin prej tyre.

Sipas tij, kandidaturat dhe mbështetja për to duhet të shqyrtohen kur të afrohet procesi zgjedhor.

“Po, kjo është pjesë e demokracisë së brendshme në LDK, t’i presim kur vjen koha e zgjedhjeve, atëherë e shohim se kë e përkrahim”, ka thënë ai.

Rugova ka lënë të hapur edhe mundësinë që në garën e ardhshme të paraqiten kandidatë të tjerë, përveç emrave që janë përmendur deri më tani.

“Zakonisht në LDK gjithmonë ka kandidat dhe kundërkandidat, sado që nuk është diçka e re edhe nëse del ndonjë kandidat tjetër”, është shprehur deputeti për Ekonomia Online.

“Nuk është e lehtë për Abdixhikun ta trashëgojë këtë pozitë”

Duke folur për udhëheqjen aktuale të LDK-së, Rugova ka shprehur mirëkuptim për vështirësitë me të cilat, sipas tij, përballet Lumir Abdixhiku në krye të partisë.

Ai ka theksuar se drejtimi i LDK-së është një përgjegjësi e veçantë, duke marrë parasysh historinë e subjektit dhe trashëgiminë politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Po, kam përsëritur shpesh që për zotin Abdixhiku nuk është e lehtë të trashëgojë një pozitë atje, ku është si kryetar i LDK-së pas partisë, partisë prej prezencës së Ibrahim Rugovës, vetë duke qenë e di se çfarë presioni është, sado që e kuptoj që edhe zoti Abdixhiku, kryetari Abdixhiku, nuk e ka të lehtë”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Rugova ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit brenda partisë, duke theksuar se përtej garës për kryetar, prioritet duhet të mbetet avancimi i proceseve politike në interes të Kosovës.

“Po gjithmonë edhe i kam thënë që bashkë ne duhet të punojmë që t’i shtyjmë proceset përpara për të mirë të Kosovës”, ka shtuar ai.

Përparim Rama shpreh gatishmëri për drejtimin e LDK-së

Debati për udhëheqjen e ardhshme të partisë u intensifikua pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë muajit tetor deklaroi se është i gatshëm të marrë drejtimin e LDK-së.

Rama bëri të ditur se ka diskutuar për këtë çështje me kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku, si dhe me anëtarë të tjerë të partisë, duke theksuar se ka qenë i angazhuar për ta mbështetur LDK-në.

“Unë i kam ndihmuar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas 12 viteve, LDK është e para në kryeqytet, dhe e kam ofruar, po them, ndihmën time gjatë gjithë kohës dhe vazhdoj me e ofru këtë ndihmë. Normal që jam i interesuar me i ndihmu Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe me nxjerr prej aty ku është. Si gjithmonë, kam qenë aty për ta, jam aty për ta, do të jem aty për ta”, është shprehur Rama.

Ndërkaq, Abdixhiku reagoi shkurt ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, duke i cilësuar diskutimet e tilla si të një niveli të ulët për politikën në Kosovë.

“Këto janë diskutime të nivelit të ulët për nivelin e politikës së Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Zgjedhjet e brendshme pritet të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të partisë

Lumir Abdixhiku u rizgjodh kryetar i LDK-së më 30 korrik, duke marrë 170 vota. Megjithatë, deklaratat e fundit kanë rikthyer në vëmendje çështjen e udhëheqjes së ardhshme dhe mundësinë e një gare me disa kandidatë.

Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta të brendshme, mbetet të shihet nëse Abdixhiku do të synojë vazhdimin e mandatit, nëse Përparim Rama do ta formalizojë kandidaturën e tij dhe nëse do të ketë emra të tjerë që do të hyjnë në garë.

Për momentin, Ukë Rugova nuk ka bërë të ditur se cilin kandidat do të mbështesë, duke vlerësuar se vendimi duhet të merret në kohën e duhur dhe se demokracia e brendshme duhet të mbetet pjesë thelbësore e funksionimit të LDK-së./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kryeministri Kurti priti përfaqësues shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari...

0
Prishtinë, 27 tetor 2026 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, siç mëson helveticALforum.ch organizoi pritje për përfaqësuesit shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci...