BallinaAtdheuBanka Botërore: Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4% në vitin 2026

Banka Botërore: Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4% në vitin 2026

-

Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 3.4% për Shqipërinë gjatë vitit 2026, ndërsa perspektiva për periudhën 2027–2028 paraqitet pozitive. Sipas raportit, ekonomia shqiptare po mbështetet kryesisht te kërkesa e brendshme, turizmi, shërbimet dhe ndërtimi, ndërsa për të siguruar zhvillim më të qëndrueshëm në afatgjatë nevojiten rritja e produktivitetit dhe diversifikimi i eksporteve. Raporti evidenton gjithashtu përmirësimin e financave publike, uljen e borxhit publik nën 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe ecurinë pozitive të tregut të punës. Megjithatë, institucionit i tërheq vëmendjen fakti se ekonomia vijon të mbështetet në një numër të kufizuar sektorësh, ndërsa sfidat demografike dhe barrierat për bizneset mbeten pengesa për rritjen e konkurrueshmërisë.

Ekonomia ruan ritmet e rritjes, papunësia në nivelin më të ulët historik

Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare ruajti ecuri të qëndrueshme në fillim të vitit 2026, e nxitur nga konsumi i brendshëm, shërbimet dhe aktiviteti i ndërtimit.

Kërkesa e lartë për punonjës, në raport me ofertën e fuqisë punëtore, ka ndikuar në uljen e papunësisë në nivelin më të ulët historik. Paralelisht, pagat kanë vijuar të rriten, ndërsa varfëria ka shënuar rënie të mëtejshme.

Edhe sektori financiar paraqitet i qëndrueshëm, me zgjerim të kreditimit dhe nivel të ulët të kredive me probleme, tregues që pasqyrojnë një ecuri pozitive të ndërmjetësimit financiar.

Megjithatë, raporti evidenton rritje graduale të inflacionit deri në gusht, e ndikuar nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe karburanteve, kostot e larta të qirave dhe rritja e pagave. Kërkesa turistike përmendet gjithashtu si një prej faktorëve që ushtron presion mbi çmimet e banesave me qira.

Borxhi publik zbret nën 50% të PBB-së

Financat publike kanë shënuar përmirësim, të mbështetura nga rritja e të ardhurave buxhetore. Sipas raportit, kjo ecuri mundësoi regjistrimin e një suficiti fiskal gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Suficiti, së bashku me forcimin e lekut, ka ndihmuar në uljen e mëtejshme të borxhit publik, i cili ka zbritur nën nivelin 50% të PBB-së.

Përmirësim është vërejtur edhe në pozicionin e jashtëm të ekonomisë. Rritja e investimeve të huaja direkte, shtimi i rezervave valutore dhe ngushtimi i deficitit të llogarisë korrente kanë kontribuar në forcimin e qëndrueshmërisë makroekonomike.

Këta tregues krijojnë një bazë më të favorshme për ekonominë, por Banka Botërore nënvizon se ruajtja e kësaj ecurie kërkon reforma që rrisin aftësinë e bizneseve për të prodhuar dhe konkurruar në tregjet ndërkombëtare.

Turizmi dhe ndërtimi mbështesin rritjen, por ekonomia ka nevojë për diversifikim

Një prej sfidave kryesore të evidentuara në raport është mbështetja e konsiderueshme e rritjes ekonomike te turizmi sezonal, ndërtimi dhe shërbimet.

Sipas Bankës Botërore, turizmi sjell flukse të rëndësishme ekonomike, por një pjesë e aktivitetit mbetet e përqendruar te shërbimet me vlerë të shtuar relativisht të ulët. Ndërkohë, baza e eksporteve shqiptare vijon të jetë e kufizuar, duke penguar rritjen e produktivitetit dhe zgjerimin e ndërmarrjeve.

Një tjetër problem lidhet me qëndrueshmërinë e marrëdhënieve tregtare. Edhe pse bizneset shqiptare kanë mundësi të hyjnë në tregjet e huaja, shumë prej marrëdhënieve të eksportit mbeten afatshkurtra. Kjo e vështirëson krijimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe kufizon mundësitë për zgjerim afatgjatë.

Për këtë arsye, Banka Botërore vlerëson se Shqipëria duhet të zhvillojë sektorë të rinj eksportues, të tërheqë më shumë investime private dhe të krijojë kushte që bizneset të rrisin kapacitetet prodhuese.

Reformat tregtare mund të rrisin PBB-në deri në 10%

Një nga përfundimet kryesore të raportit lidhet me potencialin ekonomik që mund të krijohet përmes reformave në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve.

Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, reformat tregtare mund të rrisin nivelin e PBB-së deri në 10% në afatin e mesëm, duke nxitur investimet, eksportet dhe krijimin e vendeve të punës.

Për të realizuar këtë potencial, rekomandohet që vëmendja të përqendrohet jo vetëm te tarifat doganore, të cilat janë relativisht të ulëta, por edhe te barrierat rregullatore dhe administrative.

Sipas raportit, kostot që burojnë nga këto pengesa të brendshme mund të jenë dy deri në pesë herë më të larta se tarifat ekzistuese. Kjo nënkupton se thjeshtimi i procedurave, ulja e kostove administrative dhe përmirësimi i klimës së biznesit mund të kenë ndikim të rëndësishëm në konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Reformat do të synonin të lehtësonin hyrjen e ndërmarrjeve në tregjet ndërkombëtare, të forconin marrëdhëniet afatgjata me partnerët tregtarë dhe të nxisnin krijimin e produkteve e shërbimeve me vlerë më të lartë të shtuar.

Perspektiva për 2027–2028 mbetet pozitive

Banka Botërore parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.4% gjatë vitit 2026 dhe të forcohet gradualisht në vitet 2027–2028.

Përmirësimi i perspektivës lidhet me ecurinë e reformave në kuadër të integrimit evropian, rritjen e investimeve private dhe zgjerimin e eksporteve. Përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të krijojë mundësi shtesë për përmirësimin e standardeve, rritjen e konkurrencës dhe afrimin me tregun e përbashkët evropian.

Megjithatë, raporti paralajmëron se pasiguria në ekonominë globale, ndryshimet demografike dhe rreziqet klimatike mund të ndikojnë në ritmet e zhvillimit.

Produktiviteti, sfida kryesore për vitet e ardhshme

Pavarësisht treguesve pozitivë, sfida për Shqipërinë mbetet shndërrimi i rritjes ekonomike në zhvillim të qëndrueshëm dhe në më shumë mundësi për qytetarët. Banka Botërore vlerëson se rritja e produktivitetit, diversifikimi i eksporteve dhe përmirësimi i kushteve për investime janë thelbësore për të krijuar vende pune më cilësore dhe për të ulur varësinë nga sektorët sezonalë. Në këtë drejtim, reformat strukturore do të jenë vendimtare për të rritur kapacitetet e bizneseve shqiptare dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e vendit. Mesazhi kryesor i raportit është se Shqipëria po ruan një ecuri pozitive ekonomike, por rritja afatgjatë do të varet nga aftësia për të prodhuar më shumë vlerë, për të eksportuar më shumë dhe për të krijuar një ekonomi më të diversifikuar, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Haxhiu takon Mickoskin në Shkup, në fokus rruga Prizren–Tetovë dhe autostrada...

0
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shkup....