Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar organizimin e një proteste të re kombëtare më 31 tetor, në mbështetje të studentëve. Gjatë një konference për mediat, ai konfirmoi se PD-ja do të vijojë mbështetjen ndaj tyre, duke dënuar njëkohësisht dhunën e pretenduar ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta paqësore. Berisha theksoi se mbështetja për studentët mbetet një nga qëndrimet kryesore të Partisë Demokratike, ndërsa bëri thirrje për mobilizim qytetar në protestën e paralajmëruar.
“Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë”, deklaroi Berisha.
Berisha: Po ushtrohet dhunë antikushtetuese ndaj protestuesve
Gjatë fjalës së tij, kreu i opozitës dënoi atë që e cilësoi si “terror dhe dhunë antikushtetuese” ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta. Sipas tij, komisariatet e policisë po veprojnë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, duke shoqëruar qytetarë dhe duke marrë deklarata prej tyre pa një motiv të ligjshëm.
Berisha pretendoi se këto veprime synojnë të krijojnë frikë te protestuesit dhe të pengojnë vijimin e tubimeve paqësore.
“Së fundi, dënoj me forcën më të madhe terrorin, dhunën antikushtetuese që komisariatet, në shkelje të të gjitha ligjeve, po ushtrojnë ndaj qytetarëve në qytete dhe kudo për pjesëmarrjen e tyre në protesta paqësore”, u shpreh ai.
Akuza ndaj Ramës: “Protestat nuk ndalen”
Në deklaratën e tij, Berisha drejtoi akuza të ashpra edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke përdorur epitete politike dhe duke e akuzuar për lidhje të afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Sipas Berishës, përpjekjet për të ushtruar presion ndaj qytetarëve përmes frikësimit nuk do të arrijnë të ndalin protestat.
“Edi Rama, argati i Vuçiçit, apo siç e kanë quajtur, Pashiqi shqipfolës, do të ketë fatin e tij ose të Çausheskut. Duhet të zgjedhë vetë. Protestat nuk ndalen”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike. Me këtë deklaratë, Berisha sinjalizoi vijimin e aksionit opozitar dhe organizimin e një tjetër proteste kombëtare më 31 tetor, duke e paraqitur atë si një përpjekje për të mbështetur studentët dhe për të kundërshtuar, sipas tij, presionin ndaj qytetarëve që protestojnë, transmeton euronewsal.










