BallinaAtdheuRrnoftë Shqipnia e bijtë e bijat e saj

Rrnoftë Shqipnia e bijtë e bijat e saj

-

Nga Çun Lajçi

Provoj me ecë rrugës së Durrësit, pa i kujtue vitet ’91, ’97 e as këtë ’26-shin.

S’mundem.

Në çdo gur të shkulun prej trotuarit më del përpara nji njeri me penjë në byzylykun e dorës, që thotë; – unë jam karrige, ulu n’prehnin tim ta bajmë dialogun, e mue më këputen kambët. Bie në gropat e ujit që ma hudh nji makinë e madhe, e bardhë.

Në nji udhë që s’e di pse vazhdoj me e shkelë, ndalem pranë nji grope të hapun prej rrotave që s’pushojnë tue e vra tokën.

E shikoj gropën dhe, përtej saj, dalloj siluetën e Rikardit, artistit që bani emën mbi nji shtyllë telefoni, mes akullit e borës.

— Ik, — më thotë. — Shpëto prej akujve, se ma s’ke me u shkri!

Trishtohem.

Vrapoj drejt Akademisë së Arteve, por rrëzohem mbi grumbujt e gurëve. Përgjakem. Rënkoj. Bujari, ai artisti që la gjurmë me nji klarinetë, ma kap dorën e më ndihmon me u ngritë. Por nji makinë ma zbraz përsëri ujin përsipër dhe hija e aktorit të «Gjeneralit…» zhduket.

E shoh veten të shtrimë mbi nji shtrat të ftohtë e të thellë. Vdekja ime qesh, tue më shikue me habi, si nji stinë që pret me ardhë.

— Lëviz, se të shkelin makinat! — më thotë ajo aktorja me lyrthë në ballë.

Margarita asht.

Më mbulon me pallton e saj të kuqe.

— Kur të lodhesh, ulu nën hijen e pemëve, jo në rrugën e rrotave.

Dua me i thanë: ma mirë le të më shkelin. S’po më jetohet ma, kur shoh se si nji i çmendun e çmendi nji popull, e groposi nji Shqipni dhe prapë s’u ngop. I shkallmon të gjithë, i len të dërmuem e mandej don me i çue në Evropë.

Sikur të donte me mbetë vetëm ai në Surrel e, prej andej, me e gjuajtë pëshurrën e vet mbi Tiranë çdo mëngjes.

Te Kryeministria më ndalin rojet. Më ulin në nji karrige të djegun.

— Rri këtu. Ka punë me ty artisti me rruaza e penj të kuq.

Artistët e kanë gjuhën e vet, që ne të tjerët nuk e kuptojmë, më thonë.

E unë bërtas:

— Nuk due dialog!

Dhe vdes mbi karrigen e djegun prej protestuesve të natës që shkoi.

Prej sipër Kryeministrisë më flet korbi me mjekrrën e bardhë:

— Shikoni kush na erdhi për dialog! I çmenduni dardan, që këndon në sharki e s’më len me ba gjumë në Surrel!

— Ky duhet të burgoset! — u thotë rojeve. — Ky asht ANTIFA! Ky e mat jetën me hijen e vet, jo me orën e Tiranës.

Ka ardhë ai që shëtit qyteteve me libra, ai që në Orosh bahet Gjonmarkagjon e m’çon fjalë:

— Ik, se i ikun ke ardhë. Shko, se i shkuem ishe. Fluturo, se pa krahë fluturove!

Pastaj m’i verbon sytë me nji tym, me nji spërkatje, me nji pluhun t’bardhë …

Sot i kam shkelë gurët e Bulevardit të Dëshmorëve. Kam dashtë me i pa studentët, me maska e pa maska. Kam takue Kadri Roshin e Ndrek Lucën, tue bisedue për Lidhjen e Prizrenit me vëlleznit Frashëri.

E aty më ka lidhë me penj ai Edi, ai që s’i duron as zogjtë, as fëmijët.

Aman, më kërkoni në komisariat, në Shallvare, aty ku dikur e mora shtetësinë me dekretin e Salës. Atje më gjeni, prapa grilave, tue bërtitë:

Rrnoftë Shqipnia, e bijtë e bijat e saj!

22 tetor 2026

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

NË AARAU ORGANIZOHET TAKIMI ME PROF. DR. NUSRET PLLANËN – SHFAQET...

0
Përgatiti Dashnim HEBIBI Një takim me karakter pune dhe kulturor me profesorin dhe autorin Prof. Dr. Nusret Pllana do të organizohet më 24 tetor 2026,...