BallinaAtdheuRama vendos sërish karriget para Kryeministrisë: “Çdo arsye është një argument më...

Rama vendos sërish karriget para Kryeministrisë: “Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun”

-

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog me protestuesit, duke vendosur sërish karrige përpara godinës së Kryeministrisë dhe duke ftuar qytetarët të shprehin shqetësimet dhe kërkesat e tyre përmes bisedimeve. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thekson se pakënaqësitë dhe problemet e qytetarëve mund të jenë të shumta, por sipas tij, asnjë prej tyre nuk e justifikon dhunën. Përmes këtij mesazhi, Rama u drejtohet qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të shoqërisë, duke e paraqitur dialogun si rrugën e duhur për të diskutuar problematikat dhe për të gjetur zgjidhje. Karriget e vendosura përpara Kryeministrisë shoqërohen me fletë-ftesa, përmes të cilave qytetarët ftohen të ulen në bisedime me përfaqësuesit e qeverisë.

“Ka një mijë e një pakënaqësi, një mijë e një halle, një mijë e një probleme. Mund të ketë edhe një mijë e një arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun”, shprehet Rama.

Rama: E drejta për të protestuar është e pamohueshme

Kryeministri ka theksuar se e drejta për të protestuar është një e drejtë që duhet respektuar, por ka bërë dallimin mes protestës paqësore dhe akteve të dhunës. Duke iu referuar ngjarjeve të ditëve të fundit, ai u shpreh se përplasjet dhe dhuna nuk duhet të zëvendësojnë komunikimin mes qytetarëve dhe institucioneve.

“E drejta e protestës është e pamohueshme, dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës, sot dialogu është këtu përsëri”, deklaroi kreu i qeverisë.

Sipas Ramës, dialogu duhet të zhvillohet mes njerëzve që, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, ndajnë të njëjtin vend dhe kanë një interes të përbashkët për përmirësimin e Shqipërisë.

“Për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhe, që kanë të njëjtën shtëpi të përbashkët. Mes njerëzish që duan të njëjtën gjë; si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë”, u shpreh ai.

“Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe”

Në vijim të mesazhit të tij, Rama deklaroi se është i gatshëm të dëgjojë edhe qytetarët që kanë qëndrime të ndryshme nga ato të qeverisë. Ai nënvizoi se përmirësimi i kushteve të jetesës dhe zgjidhja e problemeve kërkojnë punë, krijim të ardhurash dhe orientimin e tyre drejt sektorëve ku nevojat janë më të mëdha.

“Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë. Çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më mirë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shumë dhe më shpejt, bëhet me punë dhe me të ardhurat e krijuara nga puna, duke i çuar ato atje ku problemet kërkojnë zgjidhje”, tha kryeministri.

Përmes këtij qëndrimi, kreu i qeverisë ka përsëritur mesazhin se dialogu duhet të mbetet alternativa kryesore për adresimin e pakënaqësive, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo formë dhune.

Në përfundim të mesazhit, Rama paralajmëroi se personat që përfshihen në akte të dhunshme do të përballen me pasojat ligjore.

“Distancohuni nga dhuna dhe, nga ana tjetër, çdo dhunues do të marrë përgjigjen që meriton”, përfundoi ai.

Thirrja e kryeministrit vjen në një moment kur dialogu me protestuesit dhe qëndrimi ndaj akteve të dhunës janë kthyer në çështje të rëndësishme të debatit publik. Mbetet për t’u parë nëse ftesa e përsëritur e qeverisë do të sjellë një reagim nga protestuesit dhe nëse palët do të ulen në tryezën e dialogut për të diskutuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Ekspedita arkeologjike në Shtyllas: zbulime të reja mbi historinë dhe arkitekturën...

0
Gërmimet e vitit 2026 sjellin të dhëna të rëndësishme për fazat e përdorimit dhe shkatërrimit të tempullit, arkitekturën e tij dhe materialet e përdorura...