
Nga Shefqet Cakolli, Zvicër
Tash e tetë ditë
E marr Shqipërinë me vete,
Nga ekrani në dhomë,
Nga dhoma në kraharor.
E mbyll televizorin,
Por pamjet nuk mbyllen,
Më ndjekin pas,
Skena që si dua ti shof më!
Jam larg,
Por tymi më hyn në shpirt,
Sepse e njoh atë tymë,
Më ka prekur shumë herë!
Mes të rinjve dhe policisë
shoh duar që ngrihen,
Trupa që rrëzohen,
Dhe kërkoj një dorë tjetër
Që të zgjatet për t’i ngrit.
Ai djali përballë mburojës
Mund të ishte nipi im,
Edhe ai nën uniformë,
Djali im!
Ka dikend që ia pret kthimin,
Një derë që nuk mbyllet,
Një nënë që pyet:
A u kthye?
Çfarë t’u them nipërve;
Kur më pyesin për këto pamje?
Si t’ua shpjegoj
Se përse vëllai,
Nuk dëgjon më zërin vëllait,
Pa u përplasur me të?
Të rinj,
Ngrijeni zërin!
Kërkojeni të ardhmen
Që ju takon.
Por mos e lini zjarrin pas,
T’jua shkruajë kërkesat
N` muret e shkollës.
Ju që mbani mburojat,
Shikojini fytyrat përballë.
Nën atë zemërim
Ka jetë që sapo kanë nisur,
Ka ëndrra që kërkojnë vend
Në vendin e vet.
E ju që mbani karriget,
A i dëgjoni vallë?
A ju mbërrin nderi brenda
Zhurma e rrugës e flakës?
Hapeni një derë,
Dilni përpara tyre,
Para se një tjetër nënë
Ta kërkojë djalin mes pamjeve.
Nga mërgimi
Nuk kam si ta ndal një gur,
Që hudhet pa qëllim,
As si ta shuaj ate flakë.
Veç rri para ekranit
Dhe më duket
Se largësia shtohet
Me çdo njeri që bie.
Mos ma digjni Shqipërinë!
Aty kam kujtimet,
Aty dua t’i sjell nipërit,
T’u tregoj një shkollë,
Një rrugë,
Një derë të hapur,
Pa u folur për hirin.
Sonte,
Para se ta mbyll ekranin,
Dua të shoh,
Një të ri që kthehet në shtëpi,
Një polic që e ul mburojën,
Dhe një nënë
Që ua hap derën të dyve.










