Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për shpërblimin financiar të 2,750 punonjësve të Policisë së Shtetit, në vlerësim të angazhimit të tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Për këtë qëllim, qeveria ka vendosur të shtojë 740 milionë e 80 mijë lekë në buxhetin e programit “Policia e Shtetit”, me financim nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 19 tetor 2026 dhe parashikon dhënien e shpërblimeve financiare për punonjësit e policisë, për shkak të angazhimit të shtuar në përmbushjen e detyrave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Sipas dokumentit zyrtar, masa financiare synon të mbështesë punonjësit e angazhuar në terren, të cilët përballen me detyra dhe ngarkesë të shtuar gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.
Mbi 740 milionë lekë për shpërblimet e policisë
Në vendimin e miratuar nga qeveria parashikohet shtimi i fondit prej 740,080,000 lekësh në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”.
Shuma do të mbulohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2026, duke krijuar mundësinë për realizimin e pagesave të parashikuara në vendim.
Dokumenti përcakton se shpërblimi financiar u akordohet 2,750 punonjësve të Policisë së Shtetit, si vlerësim për angazhimin e tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Policia do të përcaktojë listën e përfituesve
Për zbatimin e vendimit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të përcaktojë listën emërore të punonjësve përfitues, bazuar në dokumentacionin justifikues.
Institucioni do të kryejë gjithashtu procedurat administrative të nevojshme për dhënien e shpërblimeve financiare. Ndërkohë, për ndjekjen dhe zbatimin e plotë të vendimit janë ngarkuar Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe i nënshtrohet botimit në Fletoren Zyrtare, transmeton rtsh.










