BallinaAtdheuDhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme dhe e patolerueshme!

Dhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme dhe e patolerueshme!

-

Dhuna ndaj fëmijëve, në çdo formë dhe në çdo rrethanë, është e papranueshme dhe e patolerueshme. Asnjë situatë tensioni, përplasjeje apo mosmarrëveshjeje nuk mund të justifikojë cenimin e sigurisë, dinjitetit dhe integritetit fizik e psikologjik të fëmijëve.

Urdhri i Punonjësve Socialë të Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit, veçanërisht për ekspozimin e fëmijëve dhe të miturve ndaj situatave të dhunës, tensionit dhe përplasjeve.

Studentët, të rinjtë dhe çdo qytetar kanë të drejtën themelore të mblidhen, të organizohen dhe të protestojnë në mënyrë paqësore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre. Liria e shprehjes dhe e tubimit paqësor janë të drejta themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ushtrimi i këtyre të drejtave duhet të respektohet dhe të mbrohet nga institucionet shtetërore.

Institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të garantojnë sigurinë fizike, dinjitetin dhe integritetin e çdo pjesëmarrësi në tubimet paqësore, me vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve dhe të miturve. Çdo përdorim i panevojshëm, i tepruar apo joproporcional i forcës ndaj protestuesve është i papranueshëm dhe në kundërshtim me standardet e të drejtave të njeriut. Veprimet e autoriteteve duhet të udhëhiqen në çdo rast nga parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe respektimit të dinjitetit njerëzor.

Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre, të dëgjohen dhe të marrin pjesë në jetën shoqërore e qytetare, në përputhje me moshën dhe zhvillimin e tyre. Këto të drejta nuk duhet të kufizohen në mënyrë arbitrare, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të krijojnë kushtet për ushtrimin e tyre në mënyrë të sigurt.

Urdhri i Punonjësve Socialë dënon çdo akt dhune ndaj fëmijëve, pavarësisht nga autorët, rrethanat apo konteksti në të cilin ndodh. Dhuna ndaj fëmijëve nuk mund të relativizohet, të justifikohet apo të normalizohet. Mbrojtja e tyre duhet të qëndrojë mbi çdo interes, konflikt apo dallim politik e shoqëror.

Në mënyrë të veçantë, theksojmë se asnjë fëmijë nuk duhet t’i nënshtrohet pyetjes apo intervistimit nga autoritetet pa respektimin e garancive ligjore për mbrojtjen e tij, përfshirë praninë e punonjësit social ose profesionistit përkatës dhe të prindit apo kujdestarit ligjor, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi. Çdo procedurë që përfshin një fëmijë duhet të zhvillohet në një mjedis të sigurt, me metoda të përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e tij, duke respektuar dinjitetin, të drejtat dhe interesin më të lartë të fëmijës. Asnjë rrethanë nuk duhet të justifikojë ushtrimin e presionit, frikësimit apo trajtimit që mund të shkaktojë dëmtim psikologjik ose riviktimizim të fëmijës.

U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit të veprojnë me profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe përmbajtje, duke garantuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijëve. Çdo rast i dyshuar i dhunës, përdorimit joproporcional të forcës apo cenimit të të drejtave të fëmijëve duhet të identifikohet, dokumentohet dhe shqyrtohet në mënyrë të paanshme nga institucionet kompetente, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie.

Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubime, prindërve, familjarëve dhe të rriturve të tregojnë përgjegjshmëri, të shmangin çdo formë dhune dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë.

Dhuna nuk lë pasoja vetëm në integritetin fizik të fëmijëve, por mund të ndikojë thellësisht në sigurinë e tyre emocionale, mirëqenien psikologjike dhe zhvillimin afatgjatë. Për këtë arsye, mbrojtja e fëmijëve kërkon jo vetëm reagim ndaj ngjarjeve të dhunshme, por edhe masa parandaluese, identifikim të hershëm të situatave të rrezikut dhe ofrim të mbështetjes së nevojshme profesionale.

Urdhri i Punonjësve Socialë rithekson rolin dhe përgjegjësinë e punonjësve socialë dhe strukturave të mbrojtjes së fëmijëve në identifikimin, vlerësimin dhe trajtimin e situatave të rrezikut, si dhe në garantimin e mbështetjes psikosociale për fëmijët e prekur nga dhuna. Përfshirja e profesionistëve të kualifikuar në procedurat që prekin fëmijët është një garanci e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenies së tyre.

Si profesionistë të punës sociale, ritheksojmë se mbrojtja e fëmijëve nuk është çështje që i përket vetëm një institucioni apo një momenti të caktuar. Ajo është një përgjegjësi e vazhdueshme e shtetit, familjes, profesionistëve dhe gjithë shoqërisë. Heshtja, indiferenca dhe mungesa e reagimit ndaj dhunës rrezikojnë të cenojnë më tej të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve.

Asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë dhunë, frikë apo pasiguri për shkak të veprimeve dhe konflikteve të të rriturve. Asnjë qytetar nuk duhet të përballet me dhunë për shkak të ushtrimit paqësor të të drejtave të tij themelore.

Siguria, dinjiteti dhe mirëqenia e fëmijëve nuk janë të negociueshme. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e fëmijëve duhet të mbeten përparësi në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.

Mbrojtja e fëmijëve dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë përgjegjësi e të gjithëve!

URDHRI I PUNONJËSVE SOCIALË TË SHQIPËRISË. /GDielli

Loading posts…
Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Tensione dhe përplasje në protestë, qytetarët i bëjnë thirrje policisë: “Hiqni...

0
Protesta është shoqëruar me momente të tensionuara dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Të indinjuar nga përdorimi i forcës dhe ndërhyrjet policore,...

Dekadenca e shtetit

KU PO SHKON ?