Olsian Çela dhe Armela Krasniqi firmosin Memorandum Bashkëpunimi për ngritjen e një task force që synon luftën kundër piraterisë dixhitale audiovizive.
Prokuroria e Përgjithshme dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) kanë forcuar bashkëpunimin institucional në luftën kundër piraterisë dixhitale audiovizive. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili synon ngritjen dhe funksionimin e një task force të përbashkët për parandalimin dhe luftimin e kësaj veprimtarie të paligjshme. Marrëveshja synon të rrisë koordinimin ndërmjet dy institucioneve, përmes shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit në identifikimin, dokumentimin dhe referimin e rasteve të dyshuara të piraterisë dixhitale. Sipas angazhimeve të përcaktuara në memorandum, AMA do të referojë pranë prokurorive kompetente materialet për të cilat ekzistojnë dyshime se përmbajnë elemente të veprave penale. Gjithashtu, institucioni do të informojë organet e prokurorisë për metodat e reja të përdorura në piraterinë dixhitale audiovizive. Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme angazhohet të vlerësojë kallëzimet e paraqitura dhe, kur të jetë e nevojshme, të kërkojë të dhëna shtesë për të siguruar një hetim të plotë dhe të gjithanshëm.
Bashkëpunimi do të përfshijë gjithashtu koordinimin me AMA-n për dokumentimin dhe referimin e rasteve të dyshuara, me synimin për të përmirësuar reagimin institucional ndaj shkeljeve në këtë fushë. Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet synojnë të krijojnë një mekanizëm më të strukturuar bashkëpunimi, duke bashkuar ekspertizën dhe informacionin që disponojnë për të identifikuar dhe trajtuar rastet e piraterisë dixhitale. Ngritja e task forcës pritet të shërbejë si një instrument për forcimin e luftës kundër shpërndarjes së paligjshme të përmbajtjeve audiovizive, si dhe për rritjen e efektivitetit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Memorandumi përfaqëson një hap drejt koordinimit më të ngushtë institucional në mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe trajtimin e shkeljeve të mundshme penale që lidhen me piraterinë dixhitale audiovizive, transmeton rtsh.










