Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se moszgjedhja e presidentit të ri mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, por e ka cilësuar këtë skenar si të panevojshëm. Sipas tij, Kuvendi aktual ka mandatin dhe përgjegjësinë për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.
Kurti ka theksuar se zgjidhja, sipas tij, duhet të gjendet brenda Kuvendit aktual, duke rikujtuar se presidenti i Kosovës nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, por nga Kuvendi.
“Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë në zgjedhje. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme. Kemi kuvend dhe ky kuvend mund t’i japë vendit president ose presidente”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka argumentuar se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare nuk do të përbënte zgjidhje të drejtpërdrejtë për çështjen e zgjedhjes së presidentit, pasi edhe Kuvendi i ri do të përballej me të njëjtën përgjegjësi kushtetuese.
“Duhet ta kuptojmë se në Kosovë nuk ka zgjedhje presidenciale. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për ta konstituuar kuvendin që s’mund të zgjedhë president?”, është shprehur kryeministri.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një periudhë kur zgjedhja e presidentit të ri mbetet një çështje kyçe në skenën politike të Kosovës. Procesi kërkon sigurimin e mbështetjes së nevojshme në Kuvend, ndërsa dështimi për ta përmbyllur atë mund të ketë pasoja në funksionimin institucional të vendit.
Kryeministri ka bërë thirrje që deputetët ta përmbushin përgjegjësinë e tyre dhe që procesi të përfundojë përmes Kuvendit aktual, duke shmangur një tjetër proces zgjedhor parlamentar./BS










