BallinaEKSKLUZIVEZIZE PEPSHI: “ Poezia ka qenë në familjen time para se unë...

ZIZE PEPSHI: “ Poezia ka qenë në familjen time para se unë ta kuptoja se një ditë do të bëhej pjesë e jetës sime“

-

Nuk mund t’i ikim dhimbjes dhe vuajtjes dhe mallit që sjell mërgimi, por në anën tjetër të mbush me dashuri, të bën të ndjesh përgjegjësi për atdheun, familjen e ndarë në dysh, të vetëdijeson aq shumë, saqë vetëm atëherë e kupton se sa i dashur është vendi yt. Prandaj, mërgimi është frymëzimi më i fuqishëm për një poet-e. Mërgimi të mëson ta shohësh atdheun edhe atëherë kur nuk e ke përpara syve“, na tha ndër të tjera znj.Pepshi.

Screenshot

Intervistoi Dashnim HEBIBI

INTERVISTË EKSKLUZIVE

Poetja dhe veprimtarja e njohur shqiptare në Zvicër, në prag të promovimit të dy veprave të saj në Prishtinë: “Më janë përzier atdhetë” dhe “Edhe vdekja, turbërohet nga dashuria”

Më 23 shtator 2026, Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë do të bëhet vendtakim i letërsisë, poezisë, kujtesës dhe dashurisë për atdheun. Në këtë hapësirë kulturore do të promovohen dy veprat poetike të autores Zize Pepshi, “Më janë përzier atdhetë” dhe “Edhe vdekja, turbërohet nga dashuria”. 

Zize Pepshi është një emër i njohur në jetën kombëtare, kulturore dhe shoqërore shqiptare në Zvicër. Për dekada ajo ka qenë e angazhuar në çështjen kombëtare, në edukimin e brezave të rinj dhe në ruajtjen e gjuhës e kulturës shqiptare në mërgatë. Për 15 vjet ka punuar si mësuese e Shkollës Plotësuese Shqipe, duke hapur katër paralele në katër shkolla në Thun me rrethinë. Përveç veprimtarisë arsimore e kulturore, ajo është angazhuar edhe në veprimtari humanitare e kombëtare. Në jetën e saj ka edhe një kapitull të veçantë të lidhur me Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me të cilin, siç dëshmon vetë, ka pasur bashkëpunim të afërt. Për të, Rugova nuk ishte vetëm një figurë politike, por një njeri modest, i urtë dhe me një humor të veçantë. Tash, përmes dy veprave të reja poetike, Pepshi sjell para lexuesit botën e saj të brendshme, ku takohen atdheu dhe mërgimi, dashuria dhe dhimbja, kujtesa dhe shpresa. Dy titujt e librave janë vetë një udhëtim poetik: njëri flet për një zemër të ndarë mes atdheve, ndërsa tjetri për një dashuri aq të fuqishme saqë edhe vdekja “turbërohet” përballë saj. Në prag të këtij promovimi, zhvilluam këtë intervistë ekskluzive me znj. Zize Pepshi.

Më 23 shtator, në Bibliotekën e Qytetit “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, do të promovohen dy veprat tuaja poetike, “Më janë përzier atdhetë” dhe “Edhe vdekja, turbërohet nga dashuria”. Çfarë përfaqëson për ju ky promovim në Prishtinë dhe çfarë dëshironi t’i përcillni lexuesit përmes këtyre dy librave?

Për mua ky promovim në Prishtinë është një moment i veçantë, sepse Prishtina është zemra e Kosovës, ndërsa poezia është një nga mënyrat më të fuqishme për ta shprehur atë që mbajmë thellë në shpirt. Dy librat e mi, “Më janë përzier atdhetë” dhe “Edhe vdekja, turbërohet nga dashuria”, mbartin dy histori, dy ndjenja dhe shumë kujtime. Në to janë dashuria, dhimbja, malli, atdheu, mërgimi dhe shpresa. Përmes tyre dëshiroj që lexuesi të gjejë diçka nga vetja. Poezia nuk është vetëm ajo që shkruan poeti; ajo bëhet e plotë kur lexuesi e gjen veten në varg.

Zonja Pepshi, ju njiheni si një veprimtare e madhe e kauzës sonë kombëtare. Çfarë ka qenë ajo forcë e brendshme që nuk ju ka lejuar kurrë të qëndroni indiferente ndaj fatit të popullit dhe atdheut tuaj?

Krejt thjesht, dashuria ndaj atdheut, ndaj popullit tim, i cili po përjetonte dhunë dhe terror nga armiku më çnjerëzor, duke përdorur metodat më naive, nga ndalimi i shkollave dhe universiteteve deri te lufta e fundit gjenocidiale. Pra, kjo mua nuk më lejonte të isha indiferente. Ani pse jeta më goditi pikërisht në mërgim, ku humba bashkëshortin, babain e dy fëmijëve tanë, përmes dhimbjes dhe vuajtjeve nuk u ndala. Eca dhe eca deri në realizimin e Pavarësisë së Kosovës. Ndonjëherë dhimbja të rrëzon, por ndonjëherë ajo të jep edhe forcën për të vazhduar. Për mua, dashuria ndaj atdheut ishte pikërisht ajo forcë.

Kur e keni shkruar poezinë e parë? A ju kujtohet ku ishit, çfarë ndjetë dhe cila ishte ajo shtysë që ju bëri të shkruanit vargjet e para?

Poezinë e parë e kam shkruar në vitin e dytë të gjimnazit. Më inkurajoi një këngë që gjyshja ime e këndoi. Ajo ia kishte kushtuar djalit që e donte, me të cilin edhe ishte martuar pastaj, pra babagjyshit tim. Gjyshja ka thurur shumë këngë për dashurinë, të cilat ia kam mbledhur dhe së shpejti do ta botoj krijimtarinë gojore të gjyshes time. Pra, talentin për poezinë e kam trashëguar nga gjyshja ime! Ndoshta poezia ka qenë në familjen time para se unë ta kuptoja se një ditë do të bëhej pjesë e jetës sime. Vargu, si kënga, shpesh lind aty ku zemra ka diçka për të thënë.

Ku e gjeni muzën e krijimtarisë? Në atdhe, në mërgim, në kujtime, në dashuri apo në dhimbje?

Në të gjitha këto që më keni pyetur: në mërgim, në atdhe, në kujtime, në dashuri e dhimbje. Sepse poezia lind aty ku jeta lë gjurmë. Ndonjëherë është një kujtim që na kthehet papritur, një mall që nuk shuhet, një dhimbje që kërkon fjalë, një dashuri që nuk pranon të heshtë. Për mua, të gjitha këto janë pjesë e muzës poetike.

Dy titujt e librave tuaj janë shumë domethënës: “Më janë përzier atdhetë” dhe “Edhe vdekja, turbërohet nga dashuria”. Çfarë historie dhe ndjenje fshihet pas tyre?

Pas tyre fshihen dy histori: dashuria që e mund vdekjen dhe përzierja e ndjenjës, atdheu dhe vendi i huaj, në këtë rast Zvicra – dy bebe në një mitër.

“Më janë përzier atdhetë” është ajo ndjenjë e veçantë e njeriut që jeton larg vendlindjes, por nuk ndahet kurrë prej saj. Njëra dorë është në vendin ku jeton, ndërsa zemra vazhdon të rrahë për vendin prej nga ke ardhur. Ndërsa “Edhe vdekja, turbërohet nga dashuria” është një tjetër dimension i ndjenjës njerëzore: dashuria që është aq e fuqishme, saqë nuk mposhtet as nga vdekja.

Ju jetoni prej vitesh në Zvicër. A e ka bërë mërgimi dashurinë për atdheun më të fortë, por edhe më të dhimbshme? A është mërgimi plagë apo frymëzim për një poet?

Normalisht, nuk mund t’i ikim dhimbjes dhe vuajtjes dhe mallit që sjell mërgimi, por në anën tjetër të mbush me dashuri, të bën të ndjesh përgjegjësi për atdheun, familjen e ndarë në dysh, të vetëdijeson aq shumë, saqë vetëm atëherë e kupton se sa i dashur është vendi yt. Prandaj, mërgimi është frymëzimi më i fuqishëm për një poet-e. Mërgimi të mëson ta shohësh atdheun edhe atëherë kur nuk e ke përpara syve. Të mëson se malli mund të bëhet varg dhe se largësia, sado e madhe të jetë, nuk mund ta largojë një vend nga zemra.

“Hapa katër paralele në katër shkolla në Thun me rrethinë”

Keni qenë mësuese e Shkollës Plotësuese Shqipe, veprimtare dhe bamirëse. Çfarë ju ka mësuar puna me fëmijët shqiptarë në mërgatë për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit?

Isha mësuese për 15 vite në mësimin plotësues në Zvicër. Hapa katër paralele në katër shkolla në Thun me rrethinë. Ajo kohë më ka mësuar shumë me fëmijët shqiptarë, sidomos për ruajtjen e gjuhës shqipe, këngës shqipe, historisë sonë dhe gjeografisë sonë. Për mua ishte një përvojë me shumë vlerë kombëtare. Kur një fëmijë në mërgim mëson shqipen, ai nuk mëson vetëm një gjuhë. Ai mëson emrin e gjyshit, historinë e gjyshes, vendin e prindërve dhe rrënjët e veta. Gjuha është ura që e lidh fëmijën me atë që është dhe me atë prej nga vjen.

Ju keni pasur një miqësi të mirë me Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Çfarë kujtoni më së shumti nga ai si njeri, përtej figurës politike?

Po, kam pasur një bashkëpunim shumë të afërt me Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova, sepse isha nënkryetarja e parë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më pas edhe kryetare. Përtej figurës së tij politike, kujtoj humorin e tij, thjeshtësinë gjatë komunikimit të përbashkët dhe urtinë e tij të pashoqe. Ishte hyjnore! Për mua, ai ishte një njeri që dinte të dëgjonte, të komunikonte thjesht dhe të përcillte një qetësi që nuk ishte dobësi, por forcë.

„Rugova ishte i durueshëm dhe i dashur, sepse njerëzit e mëdhenj janë të thjeshtë dhe të kuptueshëm për të gjithë“

Presidenti Rugova kishte një mënyrë të veçantë për ta përfaqësuar Kosovën në botë. A mendoni se ai ishte ndër të rrallët që ia dinte vërtet pasaportën shqiptarëve – durimin?

Gjithmonë e them se Rugova ishte i durueshëm dhe i dashur, sepse njerëzit e mëdhenj janë të thjeshtë dhe të kuptueshëm për të gjithë. Pra, vetëm ai mbetet formula e saktë e popullit shqiptar të Kosovës dhe më gjerë. Durimi i tij nuk ishte vetëm një tipar personal. Ishte një mënyrë për ta përballuar një kohë shumë të vështirë. Ai besonte se edhe rrugët më të gjata mund të përshkohen kur ecet me urtësi, durim dhe vizion.

Ju flisni shumë për bashkimin dhe unitetin shqiptar. Pse mendoni se shqiptarët e kanë ende kaq të vështirë të bashkohen rreth vlerave që na bashkojnë?

Sepse ne si popull na nevojitet edhe shumë kohë për një vetëdijesim të plotë, që ta ndërtojmë respektin dhe mirëkuptimin shoqëror, duke filluar nga shoqëria deri te politika, e cila është bërë sëmundja më famëkeqe në trojet tona shqiptare.Duke krijuar ndasi politike dhe ndërfetare, kjo gjendje e mbush mullirin e armikut plot me ujë. Ne kemi nevojë të kujtojmë më shpesh se çfarë na bashkon sesa të kërkojmë atë që na ndan. Historia na ka mësuar se kur shqiptarët kanë qenë të bashkuar rreth një qëllimi, kanë ditur të përballojnë edhe kohët më të vështira.

Si një grua shqiptare e angazhuar për dekada në jetën kombëtare e kulturore, çfarë roli duhet të ketë sot gruaja shqiptare në mërgatë?

Unë them që gruaja shqiptare sot ka rolin e saj në të gjitha fushat, duke filluar nga familja deri te organet tjera vendimmarrëse, si juriste, ekonomiste, mjeke, pedagoge universitare, parlamentare, ministre, deri te Presidente.Gruaja shqiptare nuk duhet të jetë vetëm dëshmitare e ndryshimeve, por edhe pjesë e fuqishme e krijimit të tyre. Ajo ka dëshmuar se mund të jetë njëkohësisht shtyllë e familjes, profesioniste e suksesshme dhe zë i rëndësishëm në jetën shoqërore e kombëtare.

Në një kohë të rrjeteve sociale, klikimeve dhe informacionit të shpejtë, sa po vlerësohet sot poezia? A ka ende fuqinë ta ndalë njeriun dhe t’ia prekë shpirtin?

Unë them që po, poezia shumë vlerësohet. Pavarësisht informacioneve të shpejta, lexuesit që e ndjejnë në shpirt e vlerësojnë shumë. Personalisht dua t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë lexuesit dhe komentuesit e mi të dashur. Poezia nuk garon me shpejtësinë e informacionit. Ajo ka ritmin e shpirtit. Dhe shpirti i njeriut ende ka nevojë për një fjalë që e ndal, e prek dhe e bën të mendojë.

A duhet poeti të jetë vetëm krijues, apo edhe zë i shoqërisë, i kohës dhe i atdheut?

Unë mendoj që krijuesi duhet të jetë zë i shoqërisë, i kohës dhe i atdheut; në të kundërtën është e çalë. Poeti nuk mund të jetojë i shkëputur nga koha në të cilën jeton. Ai e dëgjon dhimbjen e shoqërisë, e ndien gëzimin e saj, e sheh padrejtësinë dhe e ruan kujtesën. Vargu mund të jetë edhe dëshmi. Mund të jetë edhe zë. Mund të jetë edhe kujtesë për brezat që do të vijnë.

Nëse një lexues i ri do t’i hapte sot librat tuaj, çfarë do të dëshironit të gjente aty: dashurinë, dhimbjen, atdheun, kujtesën apo shpresën?

Të gjitha bashkë. Sepse jeta nuk është vetëm dashuri, as vetëm dhimbje. Nuk është vetëm atdhe apo vetëm mërgim. Të gjitha këto jetojnë bashkë brenda njeriut. Nëse lexuesi i gjen këto ndjenja në librat e mi, atëherë besoj se poezia ime e ka gjetur rrugën deri te zemra e tij.

Dhe në fund, nëse do të kishit vetëm një fjali për t’ua lënë brezave të rinj shqiptarë – një fjali që do të mund të qëndronte në faqen e fundit të librit të jetës suaj – çfarë do të shkruanit?

Do t’ua lë:

Ta doni familjen, atdheun, popullin dhe dijen. Këto janë vlera që nuk plaken kurrë. Familja na jep dashurinë, atdheu rrënjët, populli përkatësinë dhe dija na jep dritën për të ecur përpara.

Shumë respekt!  

Në fund, poezia e Zize Pepshit është zëri i një shpirti që ka jetuar mes mallit, dhimbjes, dashurisë dhe atdheut. Ajo dëshmon se mund të jetosh larg vendlindjes, por atdheu nuk largohet kurrë nga zemra.Sepse rrënjët nuk emigrojnë. Ato mbeten aty ku ka nisur dashuria, kujtesa dhe fjala e parë. Dhe poezia e saj nuk lexohet vetëm me sy – ajo ndihet me zemër.

Promovimi

Promovimi i dy veprave poetike të Zize Pepshit, “Më janë përzier atdhetë” dhe “Edhe vdekja, turbërohet nga dashuria”, mbahet më 23 shtator 2026, në orën 15:00, në Bibliotekën e Qytetit “Hivzi Sylejmani”, Rr. Sadik Bekteshi, Lagjja Dardania, Prishtinë. Në këtë ngjarje do të jenë të pranishëm edhe botuesi i dy veprave, poeti Nazmi Rrahmani, si dhe redaktori dhe publicisti Shefqet Dibrani. Pritet pjesëmarrja e poetëve, shkrimtarëve, krijuesve dhe dashamirësve të letërsisë e kulturës shqiptare. Ky promovim nuk është vetëm një takim letrar. Është një kthim te fjala, kujtesa dhe ndjenja. Është takimi i një poeteje të mërgimit me lexuesin në Prishtinë dhe, mbi të gjitha, një dëshmi se atdheu mund të jetë larg në kilometra, por kurrë larg zemrës së atij që e do.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

RIKTHEHET SHKOLLA KOMBËTARE E BIBLIOTEKONOMISË!

0
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë rikthen Shkollën Kombëtare të Bibliotekonomisë, një hap i rëndësishëm për formimin profesional dhe zhvillimin e mëtejshëm të bibliotekave në vend. Shkolla...