Göteborg – Artistja bashkëkohore nga Kosova, Doruntina Kastrati, po prezantohet për herë të parë në Suedi me ekspozitën personale “…why do you hold back?”, e cila është hapur në Röda Sten Konsthall në Göteborg.
Ekspozita përbën një tjetër paraqitje të rëndësishme ndërkombëtare për Kastratin, pas pjesëmarrjeve në disa prej ngjarjeve më prestigjioze të artit bashkëkohor, përfshirë Bienalen e Venedikut dhe Bienalen e Stambollit.
“…why do you hold back?” sjell së bashku një pjesë të kërkimeve artistike të Kastratit gjatë viteve të fundit, duke u përqendruar në tema si puna, trupi, kujtesa dhe përvojat e grave. Nëpërmjet veprave të saj, artistja eksploron mënyrën se si historia personale dhe kolektive ndërthuret me ndryshimet shoqërore dhe ekonomike.
Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zënë edhe temat që lidhen me historinë e industrisë së ëmbëlsirave dhe transformimin e tregut të punës në Kosovën e pasluftës. Kastrati i qaset këtyre zhvillimeve jo vetëm përmes perspektivës historike, por edhe duke i lidhur ato me trupin e njeriut, punën fizike dhe përvojat e grave.
Praktika artistike e saj ndërton një marrëdhënie të veçantë mes trupit, ekonomisë dhe kujtesës shoqërore. Përmes kësaj qasjeje, artistja sjell në vëmendje histori dhe përvoja që shpesh mbeten jashtë narrativave tradicionale, duke i kthyer ato në pjesë të një reflektimi më të gjerë mbi shoqërinë dhe ndryshimet e saj.
Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, prezantimi në Göteborg përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar të Doruntina Kastratit, por njëkohësisht edhe në promovimin e artit bashkëkohor nga Kosova në skenën ndërkombëtare.
Prania e artistes në institucione të rëndësishme evropiane dëshmon për rritjen e vëmendjes ndaj skenës artistike të Kosovës dhe për hapësirën gjithnjë e më të madhe që artistët nga vendi po zënë në institucionet kulturore jashtë vendit.
Ekspozita “…why do you hold back?” do të qëndrojë e hapur në Röda Sten Konsthall në Göteborg deri më 22 nëntor, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen më nga afër me punën dhe kërkimet artistike të Doruntina Kastratit./rtk










