Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se seanca konstituive e këtij institucioni shtetëror do të vazhdojë të premten, më 11 shtator. Ajo është paraparë të nisë në orën 11:00, ndërsa në rend dite është zgjedhja e nënkryetarëve.
Vazhdimi vjen pasi të mërkurën Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e legjislaturës së 11-të. Ajo mori 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime.
Megjithatë, seanca nuk vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarëve, pasi mungoi pajtimi ndërmjet subjekteve politike nëse votimi për ta duhet të bëhet në pako ose jo. Po ashtu, pati deklarata se Lëvizja Vetëvendosje, që vetë propozoi për nënkryetar Ardian Golën, nuk do t’i votojë të propozuarit nga Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitakun dhe Lidhja Demokratike e Kosocës, Kujtim Shalën. Për nënkryetarë nga komunitetet joshumicë u propozuan Emilija Rexhepi dhe Slavko Simiq. Në rastin e këtij të fundit plasi një tjetër “sherr” në parlament, pasi shefi i Grupit parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq tha se po e bën propozimin për Simiqin tjetër, “në emër të popullit serb”.
Kryetarja e parlamentit, Albulena Haxhiu i kërkoi atij ta tërheq këtë deklaratë, gjë që nuk ndodhi.
E njëjta më pas ndërpreu seancën me arsyetimin se nuk ka pajtim për zgjedhjen e nënkryetarëve.
Për përfundimin e procesit konstituiv duhet të zgjidhen pesë nënkryetarët e Kuvendit. Tri pozita të këtilla u takojnë grupeve më të mëdha parlamentare, ndërsa dy komuniteteve joshumicë./BS










