
Nga Beqir Sina – New York
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) do të organizojë mbrëmjen e dytë vjetore të Gala së tij më 24 shtator 2026, ora 18:00, në Gotham Hall, 1356 Broadway, New York. Ftesa zyrtare kërkon konfirmim pjesëmarrjeje deri më 15 shtator dhe specifikon veshje formale të mbrëmjes.
Burim Nimon Rexhaj, një nga drejtuesit e lartë të AARC me president Martin Vulaj, ka publikuar në Facebook, një set fotografish që shoqërohen me njoftimin se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë nga një pllakatë mirënjohjeje. Ndërsa një burim anonim tha se Rama ka marr ftesë për të marrë pjesë në këtë ngjarje.
Sipas të njëjtave burimeve të cituara edhe në të njëjtin status, ftesë është dërguar edhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili pretendohet se ka konfirmuar marrjen e dekoratës “Knight of the Order of Scanderbeg”. Këto pretendime, deri më tani, nuk janë konfirmuar nga burime zyrtare apo mediave të pavarura.
Në mesazhin e tij, Rexhaj thekson se largësia gjeografike nuk e zvogëlon përgjegjësinë e diasporës. “Gjeografikisht larg, përtej oqeanit, por asnjëherë të ndarë në qëllim, në vlera dhe në përkushtim. Largësia nuk e zvogëlon përgjegjësinë tonë për t’i mbrojtë, promovu dhe ruajtë vlerat tona të përbashkëta… Përmes punës sonë vazhdojmë me ndërtu ura, me avancu interesat tona të përbashkëta dhe me forcu partneritetet për një të ardhme më paqësore, më të begatë dhe më të sigurt,” shkruan ai.
AARC është një organizatë e diasporës shqiptaro-amerikane që lobon në Uashington për çështjet e komunitetit, përfshirë fuqizimin e Caucus-it të Çështjeve Shqiptare në Kongres. Gala e këtij viti pritet të bashkojë liderë politikë, diplomatë dhe përfaqësues të komunitetit për të nderuar kontributet e diasporës dhe për të forcuar partneritetin strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar.
Ngjarja mbetet një nga momentet kryesore të vitit për komunitetin shqiptar në Amerikë.










