Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së kanë shprehur mbështetjen e tyre për marshin e paralajmëruar më 12 shtator në Prishtinë, të organizuar nga iniciativa “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Krerët e këtyre organizatave u kanë bërë thirrje qytetarëve, veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës që t’i bashkohen masivisht marshit, duke kërkuar që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë, paqësore dhe dinjitoze.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se organizatat e dala nga lufta po informojnë opinionin publik për aktivitetet që po zhvillohen në prag të vendimit për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Jashari e cilësoi procesin gjyqësor si të padrejtë dhe politik, duke pretenduar se ai synon dëmtimin e imazhit të luftës së UÇK-së.
Ai theksoi se Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve nuk është organizatore e marshit, por do të bashkëpunojë me organizatat e tjera dhe do ta mbështesë aktivitetin e 12 shtatorit.
“Kur preket lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, preket në lirinë e Kosovës”, deklaroi Jashari, duke shtuar se organizatat e dala nga lufta do të vazhdojnë të kundërshtojnë atë që e konsiderojnë si padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Jashari paralajmëroi gjithashtu protesta në rast se vendimi përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të jetë i pafavorshëm.
“Ne nuk do të rrimë duarkryq. Ne do të protestojmë”, tha ai, duke paralajmëruar se në një situatë të tillë mund t’u bëhet thirrje edhe institucioneve në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup që të reagojnë.
Megjithatë, ai apeloi që marshimi i 12 shtatorit të jetë paqësor dhe i matur. Sipas tij, pjesëmarrësit duhet të shmangin çdo dëmtim të institucioneve, objekteve apo pronës publike dhe private.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj. Ai u bëri thirrje shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe mërgata që t’i bashkohen marshit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Shurdhaj tha se protesta synon të shprehë mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së në prag të shpalljes së verdiktit përfundimtar.
Ai ftoi veteranët, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe të gjithë qytetarët që, siç u shpreh, e duan lirinë dhe Kosovën, të marrin pjesë në aktivitet.
Marshi i 12 shtatorit pritet të mbledhë qytetarë nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare, ndërsa organizatorët dhe shoqatat e dala nga lufta kanë kërkuar që pjesëmarrja të jetë masive, por protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, transmeton rtk.










