BallinaEKSKLUZIVE“Kurthi” i Bekim Sejdiut, kush fiton e kush humb në “kaosin e...

“Kurthi” i Bekim Sejdiut, kush fiton e kush humb në “kaosin e kontrolluar”, Abdixhiku apo Kurti?

-

Shkruan: Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog

Sa ka gjasa që kandidati i sapohedhur për president të Kosovës të jetë kurth për mosvotim, kur dihet që disa deputetë të tanishëm, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku ishte edhe Bekim Sejdiu, u rrëzua nga froni Abdullah Hoti? Pra, a është ideja dhe qëllimi që ky të mos votohet, në mënyrë që Abdixhiku mëpastaj të gjejë arsye për largimin nga LDK-ja e gjithë atyre që nuk e votojnë të njëjtin? Pra, kush fiton e kush humb në këtë algoritëm të regjisorëve të “kaosit” tonë të kontrolluar politik që po e mban Kosovën “pa frymë” në këta 18 muaj?

Teza, jo hipoteza, ime e hedhur qysh nga ngërçi i përsëritur që u krijua pas zgjedhjeve të qershorit, që unë e kam identifikuar si “kaos i kontrolluar politik”, duket se nuk paska hasur në “veshë të shurdhër”, me vetë faktin që dy subjektet që po pretendojnë të krijojnë institucione relevante të Republikës, paskan rënë dakord që kandidati konsensual për president më së miri mund ta kryejë dikush nga komuniteti i gjyqtarëve.

Tash nuk po them që kam pasur farë informacioni për rrjedhat e as për kontaktet e njëpasnjëshme të Lumirit dhe Kurtit, por logjika dhe intuita ime sociologjike më kanë dërguar te një konstatim i tillë.

Mirëpo, nëse këtë propozim e shndërrojmë në hipotezë politike, mund të kuptojmë shumë gjëra.

E para, nga dakordimi që u arritë midis LDK-së dhe LVV-së për emrin e personalitetit që u bë publik nëse i hyjmë me “skalpelin” sociologjik, do të mund të nxjerrim ca hipoteza fleksibile. Sidomos kur kemi parasysh propozimin në fjalë për Bekim Sejdiun si kandidat konsensual për president, i cili ka qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe njëherësh edhe raportues në rastin e vitit 2020 që çoi në rrëzimin e Qeverisë Hoti. Pyetja milionëshe që tani mund të ngrihet, e besoj që do të debatohet pro et contra edhe nëpër studio, ka të bëjë me një paradoks sa interesant (politik) aq edhe hipotetik (logjik). E ajo pyetje është: A mund të jetë Bekim Sejdiu skenar për një “kurth” të ri politik që dosido mund të lidhet edhe me ca tema të tjera që ndërlidhen me; shansin e disiplinimit (lexo: spastrimit) të disa deputetëve “rebelues”, pastaj, me; faktin e ruajtjes së kohezionit brenda vetë LDK-së? Apo kemi të bëjmë me krijimin e argumentit të ri për “normalizim” të ngërçit?

E dyta, është pakëz e çuditshme që një kandidat konsensual për president, që kishte rrëzuar më 2020 Qeverinë Hoti, të marrë blanko votën e deputetëve të LDK-së për t’u bërë president i vendit! Sfida që mund të shfaqet në formë dhe përmbajtje dramatike ka të bëjë edhe me dilemat se: nëse të njëjtit e votojnë kandidatin e marrëveshjes Abdixhiku–Kurti, çfarë arsyetimi politik duhet t’i japë ky grupi “rebelues” votuesve të vet dhe publikut të gjerë; pastaj, nëse nuk marrin pjesë fizikisht në votim, cilat janë pasojat dhe akuzat për bllokimin e zgjedhjes së presidentit? Pastaj, nëse këta “rebelues” votojnë kundër kandidatit të kryetarit Abdixhiku, a mund të akuzohen më vonë për rebelim të njëmendtë ndaj vendimeve partiake?!

Të gjitha këto opsione do të jenë sfida “hamletiane” për grupin “rebelues” të LDK-së. Sepse, në cilindo variant, kryetari i LDK-së do të mund të deklaronte qetësisht: “Ja, unë e gjeta kompromisin që e kërkuan gjithë qytetaria, opozita, mediet sociale e shoqëria civile, ndërkaq fajtori nuk “banon” më te unë, por te ata që nuk e votuan kandidatin konsensual”!

E treta, çështje shumë e rëndësishme e krejt kësaj “odisejade”, apo siç e kam identifikuar me të drejtë si “kaos i kontrolluar politik”, ka të bëjë me atë se: Kush fiton nëse Sejdiu nuk zgjidhet? Fiton Abdixhiku me grupin që është pro këtij kandidati për president? Fiton grupi “rebelues” që i refuzon këto kalkulime pro et contra zgjedhjes së Bekim Sejdiut për president? Apo fiton Albin Kurti atë pretekstin e nevojshëm për të shkuar vendi edhe një herë në zgjedhje kah dhjetori i këtij viti?

Tash, nëse bëjmë një “algoritëm” logjik e sociopolitik, kuptojmë se humbësi apo fituesi më i madh, sille kah ta sillesh, është prapë Abdixhiku, sepse në rast se përzgjedhja dështon shkaku i mosvotimit të të gjithë deputetëve të LDK-së, Abdixhiku në “xhardanin” e vet do ta bartë përgjegjësinë kryesore të dështimit politik të dalë nga negocimi dhe promovimi i marrëveshjes, pa miratimin e grupit kundërshtues.

Ndërkaq, nëse Bekim Sejdiu zgjidhet, kryetari Abdixhiku fiton shumë, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë që ai po e quan “rruga rugoviste” e institucionaliste. Por, këtu tash kemi edhe një hipotezë tjetër interesante, ku, në rast të moszgjedhjes së ish-gjyqtarit, pra gardianit të Gjykatës Kushtetuese, z. Bekim Sejdiu, shkaku i ndonjë arsyeje që mund të “shkrepë” ndërkohë dhe brenda limiteve 60-ditëshe nga ana e LVV-së, atëherë Abdixhiku, si “alibi”, këtë shkak do të mund ta përdorë me lehtësi për konsum të brendshëm kundër Kurtit në fushatën eventuale, po edhe për konsum të jashtëm, sepse Bekimi sa vrehet është i pranueshëm edhe për aleatët tanë.

Pra, kemi sërish, siç thotë populli, një situatë ku mund të kërkohet “qime në ve”. Andaj, krejt procesin e përzgjedhjes së presidentit, nëse nuk e shohim vetëm dhe ekskluzivisht përmes “dioptrisë” së teorive të “kurthit”, gjasat që krejt “kaosi i kontrolluar” mund të përfundojë me një happy end të mirë janë të mëdha.

Sepse, dorën në zemër, kolegu Bekim Sejdiu vërtet është një kandidat jashtëzakonisht i përshtatshëm për ta promovuar portretin e një presidenti jopartiak dhe institucional. Tekefundit, gjatë gjithë kohës, edhe Kurti, po edhe Abdixhiku, e kanë kërkuar një profil të tillë me background jopartiak, të respektuar, të ngritur profesionalisht dhe unifikues, ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta aktuale “ahtisariane”… Por, duhet thënë edhe këtë: Kjo do ta prolongojë dukshëm idenë, konceptin dhe projektin e Albin Kurtit për “Republikën e Tretë”!

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

“Ora e Pritjes” për çlirimtarë, nis numërimin në Düsseldorf

0
“Ora e Pritjes” ka kaluar kufijtë e Kosovës dhe ka nisur numërimin drejt 16 shtatorit edhe në Evropë. Qyteti i parë është Düsseldorfi i Gjermanisë,...

Mësuesit dhe shkollës sime