Prishtinë – Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të Bashkimit Evropian lidhur me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë dhe zyrtarëve të administratës gjyqësore.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka mbrojtur vendimin e KGJK-së, duke theksuar se bëhet fjalë për një institucion të pavarur dhe se vendimi, sipas saj, është marrë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Ajo ka rikujtuar se dorëheqjet e gjyqtarëve dhe zyrtarëve në fjalë janë paraqitur në vitin 2022 dhe se ata nuk kanë ushtruar detyrat e tyre për afro katër vjet.
Sipas Gërvallës, gjatë kësaj periudhe këta zyrtarë kanë qenë të shkëputur nga proceset e rregullta të sistemit gjyqësor, ndërsa mungesa e vazhdueshme nga puna, siç ka argumentuar ajo, përbën shkelje të rëndë disiplinore.
Ministrja në detyrë ka kundërshtuar atë që e konsideron ndërhyrje politike në vendimmarrjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë. Ajo u ka bërë thirrje të gjithë atyre që pretendojnë se vendimi i KGJK-së është në kundërshtim me ligjin që të identifikojnë konkretisht dispozitën ligjore që, sipas tyre, është shkelur.
“Është e papranueshme që sot një vendim i Këshillit Gjyqësor, i mbështetur në kuadrin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, të vihet në pikëpyetje për arsye politike”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se Kosova duhet të vazhdojë të mbrojë shtetin e së drejtës dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, duke u bërë thirrje partnerëve evropianë që të mbështesin zbatimin e ligjit edhe në rastet kur vendimet e institucioneve të Kosovës nuk përputhen me preferencat e tyre politike.
Në reagimin e saj, Gërvalla ka pranuar se përfaqësimi i të gjitha komuniteteve në institucionet e drejtësisë është një detyrim kushtetues. Megjithatë, ajo ka theksuar se ky parim, sipas saj, nuk mund të përdoret për të relativizuar ligjin apo përgjegjësinë individuale.
“Në Republikën e Kosovës askush nuk është mbi ligjin. Bash askush! Asnjë individ. Asnjë institucion. Dhe asnjë presion politik, vendor apo ndërkombëtar”, ka përfunduar Gërvalla.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur çështja e integrimit dhe përfaqësimit të komunitetit serb në institucionet e drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë pjesë e diskutimeve me partnerët ndërkombëtarë dhe veçanërisht me Bashkimin Evropian, transmeton rtk.










