BallinaAtdheu28 vjet nga rënia e Komandant Kumanovës – Ismet Jashari

28 vjet nga rënia e Komandant Kumanovës – Ismet Jashari

-

Më 25 gusht 1998, në Luzhnicë, ra heroikisht Ismet Jashari – Komandant Kumanova, një nga figurat e shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot, 28 vjet pas rënies së tij, kujtohet me nderim e respekt përkushtimi dhe sakrifica e tij në rrugën e lirisë së Kosovës.

Ismet Jashari lindi më 16 prill 1967, në fshatin Orizare të Kumanovës, në familjen e Jashar dhe Nurie Jasharit. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 vazhdoi mësimet në Gjimnazin e Kumanovës.

Që në vitet e para të angazhimit të tij, Jashari u dallua për përkushtimin ndaj çështjes kombëtare dhe për gatishmërinë për të kontribuar në organizimin e rezistencës. Ai ishte ndër veprimtarët e parë që u angazhua në themelimin e fondit Vendlindja thërret, i cili më pas do të shndërrohej në një nga shtyllat kryesore të mbështetjes logjistike dhe financiare të luftës së UÇK-së.

Pas Epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ismet Jashari përgatiti hyrjen e tij në Kosovë. Më 11 mars, së bashku me Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin dhe luftëtarë të tjerë, hyri në zonat ku vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ai arriti në Likoc të Drenicës, ku në atë kohë ndodhej një nga bazat më të rëndësishme të UÇK-së.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ismet Jashari u ngarkua me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, ku kishte për detyrë zgjerimin, organizimin dhe konsolidimin e radhëve të luftës çlirimtare. Me aftësitë e tij organizative dhe ushtarake, ai u shndërrua në një nga figurat e rëndësishme të rezistencës në këtë zonë.

Në gushtin e vitit 1998, kur forcat serbe ndërmorën ofensivë për të depërtuar drejt Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ismet Jashari organizoi qëndresën në Bajrak të Luzhnicës.

Mbrëmjen e 24 gushtit, luftëtarët e UÇK-së kishin depërtuar thellë në pozicionet e forcave kundërshtare, duke u shkaktuar humbje në njerëz dhe në teknikë ushtarake. Gjatë luftimeve, luftëtarët Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj mbetën të vrarë dhe nuk arritën të tërhiqeshin nga pozicionet e armikut.

Në orët e hershme të mëngjesit të 25 gushtit, Ismet Jashari ndërmori një kundërsulm të befasishëm, me qëllim që të nxirrte trupat e bashkëluftëtarëve të rënë. Pas disa orësh luftimesh të ashpra dhe në distancë të afërt, në Luzhnicë ra heroikisht edhe vetë Ismet Jashari – Komandant Kumanova.

Bashkë me të, në atë ditë ranë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj, duke e kthyer Luzhnicën në një nga vendet e kujtesës dhe sakrificës së luftës së UÇK-së.

Sot, pas 28 vjetësh, emri i Ismet Jasharit vazhdon të mbetet i lidhur me luftën, sakrificën dhe idealin për liri. Trupi i tij prehet në Kompleksin Memorial të Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, aty ku pushojnë edhe shumë bashkëluftëtarë të tij, ndër ta edhe dëshmorët e Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.

28 vjet pas rënies së tij, kujtimi për Komandant Kumanovën mbetet pjesë e historisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e kujtesës së brezave që erdhën pas tij.

Lavdi e përjetshme Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës dhe të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!/BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Numri i studentëve është rritur me 4,155 në pesë vjet

0
Numri i studentëve të ciklit të parë në Maqedoni është rritur me 4,155, ose 8.2 përqind, në periudhën nga viti akademik 2020/2021 deri në...