Nga Dashnim HEBIBI
Në afshin e tokës së shkelur
ngrihet një frymë e lashtë,
si një kujtim që s’di të vdesë,
si një fjalë e mbetur
mes buzëve të heshtjes.
Atje më pret muza,
në shtëpizën e së bukurës,
ku drita pi ujë nga rrënjët
dhe nata gatuan ëndrra
në sofrën e krijimit.
Dua të hyj brenda saj,
jo vetëm ta shoh,
por ta prek me shpirt,
ta dëgjoj me heshtje,
ta jetoj përtej vetvetes.
Sepse jeta
nuk mbaron aty ku shohin sytë;
ajo shtrihet përtej dukjes,
përtej asaj që sheh shpirti,
përtej vargmaleve
ku mendimi lodhet
dhe hesht.
E unë ec—
mbi tokën që ruan gjurmët,
mbi plagët që bëhen lule,
mbi hapat e njerëzve
që ikën pa u përshëndetur.
Dhe sa më larg shkoj,
aq më pranë vetes mbërrij.
Ndoshta krijimi
është pikërisht ky çast:
kur toka merr frymë,
qielli përkulet, mali, deti e fusha
dhe njeriu, për një sekondë,
e harron vdekjen.
Atëherë—
nga thellësia e dheut
ngrihet afshi i jetës,
dhe shpirti, i etur për dritë,
prek për herë të parë
sofrën hyjnore të fjalës. Zot na beko!










