Këngëtari, poeti dhe shkrimtari kosovar Ilir Shaqiri është nderuar me çmimin “Mediterraneo di Pace”, të ndarë nga Klubi për UNESCO-n i Kozencës në Itali, për kontributin e tij në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar dhe promovimin e dialogut ndërkulturor dhe paqes.
Vlerësimi i është dhënë Shaqirit së bashku me sopranon arbëreshe Antonella Pelilli, me të cilën në maj të këtij viti publikoi këngën “Foleja Arbërore”. Projekti muzikor është cilësuar si një simbol i lidhjes mes Kosovës dhe komuniteteve arbëreshe në Itali.
Shaqiri ka një veprimtari të gjatë artistike, me mbi 600 këngë, rreth 34 albume dhe më shumë se 1.000 koncerte. Një pjesë e konsiderueshme e veprimtarisë së tij koncertale ka qenë e karakterit humanitar dhe bamirës.
Lidhja e tij me arbëreshët është shprehur ndër vite përmes këngëve, bashkëpunimeve artistike dhe vizitave në Kalabri e treva të tjera arbëreshe. Ndër projektet e tij të njohura janë edhe “Jam Arbëresh”, në bashkëpunim me Zef Kakocën, si dhe një bashkëpunim i vitit 2022 me kantautorin arbëresh Santino De Bartolo.
Çmimi “Mediterraneo di Pace” është themeluar nga Klubi për UNESCO-n i Kozencës dhe lidhet me promovimin e diversitetit kulturor, dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.
Sipas vlerësimit të organizatorëve, bashkëpunimi artistik mes Shaqirit dhe Pelillit përfaqëson një urë kulturore ndërmjet Ballkanit dhe komuniteteve arbëreshe në Itali, duke e vendosur muzikën dhe kujtesën e përbashkët në funksion të ruajtjes së identitetit dhe promovimit të paqes, transmeton rtk.










