Argjentina është kualifikuar me shumë vështirësi në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror, pasi mposhti Zvicrën me rezultat 3:1 pas 120 minutave lojë. Në gjysmëfinale, argjentinasit do të përballen me Anglinë. Kapiteni Granit Xhaka, së bashku me Ardon Jasharin dhe bashkëlojtarët e tij, zhvilluan një ndeshje të madhe dhe ishin shumë pranë befasisë.
Argjentina kaloi në epërsi në minutën e 10-të. Pas një krosimi të shkëlqyer nga këndi të Lionel Messit, Alexis Mac Allister realizoi me kokë për 1:0.
Argjentina – Zvicra 3:1
Stadiumi “Arrowhead”, Kansas City.
Shikues: 75.000.
Gjyqtar: J. Pinheiro (Portugalia).
Shënues: Mac Allister (10′), Alvarez (112′) , L. Martinez (120+1′)- Ndoye (67′).
Kartona të verdhë:Parede, L. Martinez, Almada- Embolo.
Kartoni i kuq: Embolo (pas dy të verdhëve).
Argjentina: E. Martinez – Molina (Montiel 85′), Romero (Otamendi 106′), Li. Martinez, Tagliafico (Gonzalez 78′) – de Paul (Martinez 85′), Paredes (Lopez 110′), Fernandez (Almada 91′), Mac Allister, Messi – Alvarez.
Zvicra: Kobel – Zakaria (Jashari 96′), Elvedi, Akanji, R. Rodriguez (Comert 90+5′)- G. Xhaka, Freuler, Rieder (Muheim 86′), Sow (Widmer 86′), Ndoye (Amdouni 86′) – Embolo.
Zvicra nisi të ushtrojë presion të madh në pjesën e dytë. Në minutën e 65-të, portieri Emiliano Martínez shpëtoi Argjentinën, duke pritur me shumë vështirësi një goditje me kokë të Dan Ndoye.
Vetëm një minutë më pas, Granit Xhaka provoi me një goditje të fuqishme nga distanca, por Martínez reagoi sërish duke devijuar topin në këndin e poshtëm të majtë.
Presioni i zviceranëve u shpërblye në minutën e 67-të. Aksioni nisi nga Xhaka, topi kaloi te Ricardo Rodríguez, i cili asistoi për Dan Ndoye. Sulmuesi zviceran, nga afërsia, e dërgoi topin mes këmbëve të portierit argjentinas për rezultatin 1:1.
Situata u vështirësua për Zvicrën në minutën e 72-të, kur Breel Embolo u përjashtua me karton të kuq pas kartonit të dytë të verdhë, i marrë për simulim.
Në minutën e 89-të, Mac Allister pati një mundësi të artë për Argjentinën, por goditja e tij me kokë nga 5-6 metra përfundoi jashtë portës.
Në minutën e 90+9, Lisandro Martínez ishte pranë golit të fitores, por portieri zviceran reagoi në mënyrë fantastike dhe shmangu golin.
Në minutën e 96-të, Ardon Jashari u aktivizua në vend të Denis Zakarias.
Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt penalltive, në minutën e 112-të Julian Álvarez realizoi një supergol nga rreth 18 metra, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të majtë për rezultatin 2:1.
Në minutën e 120+1 Lautaro Martinez realizoi për 3:1.
Pavarësisht eliminimit, Zvicra la një përshtypje shumë të mirë me lojën e saj. /K.Goca/BS










