Nga ajri, toka e deti, mijëra mërgimtarë shqiptarë nga e gjithë Zvicra kanë nisur këto ditë udhëtimin drejt atdheut për të kaluar pushimet pranë familjeve dhe njerëzve të tyre më të dashur. Për shumë prej tyre, udhëtimi fillon që të premten pasdite (sot), ndërsa fluksi më i madh i udhëtarëve pritet gjatë fundjavës. Pavarësisht se për shumë familje rruga zgjat mbi 20 orë me veturë, e për disa edhe më shumë se 24 orë, askush nuk ankohet. Lodhja kalon shpejt, ndërsa emocioni i rikthimit në vendlindje mbetet i papërshkrueshëm. Malli për prindërit, familjarët, miqtë dhe trojet ku janë rritur është më i fortë se çdo sakrificë. Edhe ata që udhëtojnë me avion përballen me sfida. Çmimet e biletave gjatë sezonit të pushimeve janë të larta, aeroportet janë të mbushura me udhëtarë dhe pritjet janë të gjata. Megjithatë, as këto pengesa nuk e zbehin dëshirën e mërgimtarëve për t’u kthyer në vendlindje. Për ta, atdheu mbetet vendi ku rreh zemra, ku ruhen kujtimet dhe ku forcohen lidhjet familjare e kombëtare.

Sipas burimeve tona nga Aeroporti i Cyrihut, vetëm gjatë ditës së shtunë janë planifikuar tre fluturime drejt Prishtinës dhe dy drejt Shkupit. Ndërkohë, nga Aeroporti i Bazelit do të realizohen katër fluturime për në Prishtinë vetëm brenda së njëjtës ditë. Kjo dëshmon edhe një herë lidhjen e fortë që diaspora shqiptare ruan me vendlindjen. Për shumë fëmijë të lindur e rritur në Zvicër, këto pushime janë një mundësi e veçantë për të njohur më mirë vendin e prindërve të tyre, gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare. Çdo vizitë në atdhe është një urë që lidh brezat dhe forcon identitetin kombëtar. Në këtë periudhë të fluksit të madh të udhëtimeve, apelohet për kujdes maksimal në komunikacion. Respektoni rregullat e qarkullimit, bëni pushime gjatë rrugës dhe udhëtoni me durim, në mënyrë që secili të arrijë i sigurt pranë familjes së tij.
Atdheu nuk është vetëm një destinacion. Ai është kujtesë, identitet, rrënjë dhe dashuri që nuk zbehet me kalimin e viteve apo me largësinë. Çdo kthim është një përqafim me vendlindjen dhe një dëshmi se lidhja e mërgimtarit me tokën e tij mbetet e përjetshme.
Redaksia e platformës mediale helveticALforum u uron të gjithë bashkëkombësve udhëtim të mbarë, rrugë të sigurt, shëndet, pushime të këndshme dhe çaste të paharrueshme pranë familjeve dhe të dashurve në atdhe. Mirë se vini në vendlindje!
(Foto nga Adi HEBIBI)




