Shqipëria do të përfitojë nga fondet e pashfrytëzuara të Planit Europian ttë Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Pas skadimit, në fund të qershorit, të afatit për kërkesën e parë të pagesave, Komisioni Europian ka nisur procesin e rishpërndarjes së fondeve që nuk u përdorën nga disa vende të rajonit.
Lajmi që Televizioni Publik e bëri të ditur pak ditë më parë, u konfirmua pas deklaratës së komisineres së zgjerimit Marta Kos gjatë vizitës në Shkup duke njoftuar se Maqedonia e Veriut është së bashku Shqipërinë e Malin e Zi përfituese.
Përparimi i shpejtë me reformat si dëshmi e kapacitetit për të zbatuar fonde shtesë ka qenë kushti kryesor për përfitimin e rreth 330 milionë euro plus për të tre vendet, mbi fondet bazë të Planit të Rritjes. Ndërkohë që ende nuk është përcaktuar se sa do të përfitojë secili shtet, një vendim përfundimtar i Komisionit Europian pritet të merret në shtator së bashku me raportin e tretë të përparimit edhe për zbatimin e reformave të tjera sipas planifikimit.
Fondi prej 330 milionë eurosh është krijuar nga shumat që rrezikojnë të humbasin vendet që nuk përmbushën në kohë kushtet për disbursimin e parë. Sipas burimeve europiane, Serbia është vendi që rrezikon të humbasë shumën më të madhe, ndërsa reduktime mund të ketë edhe për Kosovën. Ritmi i reformave ka shtuar shifrën fillestare të Shqipërisë prej 922 milionë euro deri në fund të 2027 nga totali prej 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, transmeton rtsh.




