
Nga Gazmend Dashi, Gjermani
U mbajt me sukses Turneu i 23-të Tradicional Humanitar i Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj” në Pfaffenhofen an der Ilm
Në një atmosferë të ngrohtë, vëllazërore dhe festive, sot u zhvillua Turneu i 23-të Tradicional Humanitar, i organizuar nga Shoqata Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj” në Pfaffenhofen an der Ilm.
Edhe këtë vit, ftesës së shoqatës iu përgjigjën me pjesëmarrje masive bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të Gjermanisë. Besimi i tyre buron nga puna shumëvjeçare e kësaj shoqate, e cila gjatë më shumë se tri dekadave ka realizuar me transparencë dhjetëra projekte humanitare, shkencore, kulturore dhe kombëtare, duke qenë gjithmonë pranë atyre që kanë nevojë.

Që nga ora 09:00 e mëngjesit, nën tingujt e muzikës popullore shqiptare dhe me gatimet tradicionale të përgatitura nga organizatorët dhe vullnetarët, nisën ndeshjet e turneut, ku morën pjesë plot 25 ekipe: “Sali Çekaj”, “Hausmeister Nishori”, “Arusha”, FC “Katundarët”, FUS Rabat, “Kastrati Haustechnik”, FC “Kosova”, “Ideali”, “Maler Blerim”, FSV Kosova, “Pronaj Trans”, “Shqiponjat Dardane”, FC “Liria” München, FC “Lugina”, FC “Neuburg”, “Team Daskalov”, FC “Kong Strong”, FH Gartenbau, “Morina Group”, “Presheva”, FC “Baller”, “G-Netz”, FC “Peçani”, FC “Plisat” dhe “Albo Kickers”.

Para fillimit të garës, kryetari i shoqatës, mag. Argent Ferizi, së bashku me bashkëpunëtorët Argjent Cakiqi, Luan Hoxha, Dardan Dashi dhe Enis Zeneli, zhvilluan takimin teknik me përfaqësuesit e ekipeve, ku u prezantuan rregullat e turneut dhe orari i ndeshjeve.

Vendi i parë: FC “G-Netz” (München)
Pas një dite të mbushur me emocione, ndeshje cilësore dhe rivalitet sportiv, në përfundim u shpallën fituesit e këtij edicioni:
Vendi i parë: FC “G-Netz” (München)
Vendi i dytë: FC “Kastrati Haustechnik” (Pfaffenhofen an der Ilm)
Vendi i tretë: “Team Daskalov”
Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë kupat dhe mirënjohjet për ekipet më të suksesshme, ndërsa organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, sponsorët, donatorët dhe vullnetarët për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e turneut.

Shoqata Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj” ritheksoi se të gjitha mjetet e grumbulluara nga ky aktivitet do të shpërndahen në mënyrë transparente dhe do të shkojnë për projekte humanitare, ashtu siç ka vepruar gjithmonë përgjatë më shumë se 30 viteve të aktivitetit të saj.
Ky turne dëshmoi edhe një herë se sporti, solidariteti dhe bashkimi i mërgatës shqiptare janë vlera që vazhdojnë të forcohen vit pas viti.




