POSTIMET E FUNDIT

Instituti Shkencor Helvetic i Evropës Juglindore vlerëson dhe uron LAPSH-in e Kantonit të Cyrihut për misionin e tij kombëtar

Instituti Shkencor Helvetic i Evropës Juglindore, me seli në Cyrih të Zvicrës, nën udhëheqjen e presidentit PhD Dashnim Hebibi, shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta për Kryetarin e LAPSH-it në Kantonin e Cyrihut, Prof. Naser Ulaj, për të gjithë anëtarët e kryesisë, mësimdhënësit, veprimtarët, prindërit dhe nxënësit, me rastin e përfundimit të suksesshëm të vitit shkollor 2025/2026. Në veçanti, përgëzojmë ceremoninë solemne të mbajtur më 4 korrik 2026 në lokalet “Rinora 4” në Cyrih, ku u ndanë diplomat (certifikatat) për nxënësit që përfunduan Mësimin Plotësues të Gjuhës dhe Kulturës Shqipe. Ky ishte një moment krenarie jo vetëm për nxënësit dhe familjet e tyre, por edhe për të gjithë komunitetin shqiptar në Zvicër. LAPSH “Naim Frashëri” ka qenë, është dhe do të mbetet institucioni më i rëndësishëm që bashkon shqiptarët pa dallim prejardhjeje krahinore, bindjeje fetare apo përkatësie politike. Misioni i tij fisnik për ruajtjen, kultivimin dhe transmetimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar te brezat e rinj në mërgatë është një vepër me vlerë të jashtëzakonshme kombëtare.

Për më shumë se tri dekada, Prof. Naser Ulaj dhe kolegët e tij kanë dëshmuar përkushtim të jashtëzakonshëm në edukimin e brezave të rinj shqiptarë. Po ashtu, mësimdhënëset Elfete Hasi, Afërdita Veliu, Sebahata Krasniqi, Remzije Shabani, Dafina Haziraj dhe Drilona Maloku, së bashku me të gjithë stafin pedagogjik, pa e harruar edhe atdhetarin e mirënjohur Lulzim Hasi që bënë punën e Administratës por edhe fotografitë e inçizimin, pastaj veprimtarët e njohur si Gëzim Kasumaj, Fatjon Bajrami , Naim Shasivari, pa i harruar veteranët e arsimit si Prof. Hamzë Morina etj, meritojnë mirënjohje të veçantë për punën e tyre të palodhshme në shërbim të gjuhës amtare.

Një falënderim i veçantë i takon edhe shtetit zviceran dhe institucioneve arsimore të Zvicrës, të cilat prej vitesh krijojnë mundësitë që mësimi plotësues i gjuhës dhe kulturës së origjinës të zhvillohet në shkollat zvicerane. Ky bashkëpunim është një shembull i respektit ndaj diversitetit kulturor dhe një mbështetje e çmuar për ruajtjen e identitetit të komuniteteve. Në të njëjtën kohë, dëshirojmë të theksojmë se puna e LAPSH-it meriton një mbështetje edhe më të madhe nga vetë bashkatdhetarët tanë.

Ruajtja e gjuhës shqipe është përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe komunitetit. Sa më shumë fëmijë të ndjekin mësimin shqip, aq më e sigurt do të jetë trashëgimia jonë kombëtare për brezat që vijnë. Në emër të Institutit Shkencor Helvetic të Evropës Juglindore, shprehim mirënjohjen më të thellë për Prof. Naser Ulajn, kryesinë e LAPSH-it, mësimdhënësit veteranë dhe të rinj, prindërit dhe të gjithë veprimtarët që me përkushtim mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar në diasporë. Ju urojmë shëndet, suksese të reja dhe një vit shkollor edhe më të frytshëm, me mbështetje më të madhe nga komuniteti shqiptar dhe institucionet përkatëse.

Urime për punën tuaj fisnike!

Me respekt,

Instituti Shkencor Helvetic i Evropës Juglindore
Me seli në Cyrih, Zvicër

PhD Dashnim Hebibi
President

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB