Portieri legjendar i Gjermanisë, Manuel Neuer, ka njoftuar tërheqjen e tij nga kombëtarja pas eliminimit të “Panzerëve” nga Kupa e Botës 2026, duke e cilësuar fundin e rrugëtimit të skuadrës si një zhgënjim të madh. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, 40-vjeçari shprehu keqardhjen për mënyrën se si përfundoi aventura e Gjermanisë në Botëror.
“Ishim shumë poshtë pritshmërive dhe duhej të kishim shkuar shumë më larg në këtë turne. Ky përfundim dhemb shumë”, shkroi Neuer.
Gardiani gjerman theksoi se rikthimi në kombëtare për këtë Botëror ishte një vendim i menduar mirë, me synimin për të ndihmuar brezin e ri të futbollistëve. “Të vesh fanellën e Gjermanisë ka qenë gjithmonë një krenari e madhe për mua.
Në moshën 40-vjeçare dhe me përvojën e katër Kupave të Botës, doja të ndihmoja lojtarët e rinj, si brenda ashtu edhe jashtë fushës, dhe të jepja kontributin tim për futbollin gjerman”, u shpreh ai.
Pavarësisht eliminimit të hershëm, Neuer theksoi se nuk është penduar për rikthimin e tij në ekipin kombëtar.
“Zhgënjimi im është i papërshkrueshëm, por mbi të gjitha ndiej një mirënjohje të madhe. Falënderoj të gjithë tifozët për mbështetjen e tyre ndër vite dhe gjatë këtij Botërori”, përfundoi portieri, duke mbyllur kështu një epokë të jashtëzakonshme me fanellën e Gjermanisë./BS




