POSTIMET E FUNDIT

PËRKUJTOHER 82 VJETORI I GJENOCIDIT GREK MBI ÇAMËRINË

SË BASHKU PËR ÇAMËRINË!

Zhvillohet aktitiviteti i përbashkët i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, me Fondacionin ALSAR dhe Shoqatën “Tirana”, me temë : “Kujtesë, Drejtësi dhe Identitet”.

Të jesh me Çamërinë do të thotë të jemi së bashku! Ky ishte lajtmotivi i veprimtarisë përkujtimore me temë “Kujtesë, Drejtësi dhe Identitet”, që u organizua më 25 qershor në ambjentet e Hotel International, në “Muajin e Çamërisë”, bashkëpunim i radhës mes Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, me Fondacionin ALSAR dhe Shoqatën “Tirana”.

Përkujtimi i 82-vjetorit të gjenocidit dhe ngjarjeve tragjike të Çamërisë (1944), ruajtja e kujtesës kolektive, promovimi i trashëgimisë çame, është vlerë për lartësimin e identitetit kolektiv, që u bie për detyrë të gjithë shqiptarëve ta mbrojnë, si diçka hyjnore. Duhet reflektim historik e kulturor, një frymë tjetër e historisë, tha gazetarja Luela Myftari, e cila moderoi këtë aktivitet.

“Monologu i nënës çame”, recituar me mjeshtëri të rrallë nga Margarita Xhepa, “Artiste e Popullit”, krijoi mjaft emocione tek të pranishmit e shumtë në sallë, profesorë, akademikë, gazetarë, artistë e veprimtarë kombëtarë të kryeqytetit, midis tyre edhe Princ Leka. Fjalën e mori drejtuesi i Fondacionit ALSAR, zoti Mehdi Gurra i cili u shpreh se “kombi shqiptar është i papjesueshëm në thelbin e vet etnik. Çamëria është e jona, çamët janë prej nesh, janë ndër ne! Të mos e lëmë të humbasë kjo lidhje gjaku. Të jetojmë me Çamërinë në zemër. Kujtesa është baza e personalitetit kolektiv të një populli dhe ligji i mbijetesës është i lidhur me ligjin e kujtesës historike. Është detyrimi ynë ta këkojmë drejtësinë për Çamërinë, pasi ajo lidhet me principet e larta të humanizmit, që janë thelbi i demokracisë, i lirisë, i kulturës. Fondacioni ALSAR ka përkrahur këtë mesazh afatgjatë dhe strategjik. Kemi mbështetur aktivitetet kombëtare dhe kemi botuar libra që hedhin dritë mbi Çamërinë dhe zgjidhjen e çështjes çame”.

I mbijetuari i gjenocidit grek, historiani dhe sudiuesi i njohur Hajredin Isufi, ishte vetëm 12 vjeç kur ndodhën masakrat, por ende i ka në kujtesë episodet e gjenocidit. Ai kujtoi, mes brengash dhe emocionesh të forta, momentet kur hynë forcat e Zervës në Paramithi, më 26 qershor 1944, si u boshatis qyteti martir, me një histori të madhe, dhe se si batalioni gjerman vendosi bashkëpunim me Zervën. “E gjithë Çamëria krenohet me historinë e saj, tha zoti Hajredin Isufi. Ajo ishte gjithashu, vendi i miqësive të vërteta mes shqiptarëve ortodoksë e myslimanë, por edhe mes shqiptarëve, grekëve e vllehëve. Ndaj principet e larta të humanizmit duhet të jenë më superiore dhe më të plotfuqishme se primitiviteti i shovinizmave”.

Momente mjaft emocionuese solli këngëtarja e njohur Enkelejda Arifi, me këngën elegjiake “Lamtumië Çamëri”, mbështetur në poezinë e Bilal Xhaferit.

“Këtu ka shumë Çamëri, tha shkrimtari Enver Kushi. Ka meditim dhe reflektim. Dhimbjen duhet ta respektojnë të gjithë, edhe populli grek. Popujt kanë kodet e tyre të miqësisë. Në Thesproti u shkelën të gjitha ligjet e njerëzimit, shkruan historiani grek Jani Sharra. Ndaj, siç ka thënë shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, drama çame kërkon rishqyrim”.

Kënga “Çamëri na mori malli”, kënduar nga Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi, ishte një tjetër moment i rrallë dhe emocionues, me mjete shprehëse shumë më të përshtatshme se fjalët. Vepra të mëdha dhe të papërsëritshme, i cilësoi këto këngë Enkelejda. Në vijim erdhi përshëndetja e zotit Ruzhdi Keçi, kryetar i Shoqatës Tirana. Zoti Keçi solli copëza kujtimesh nga fëmijëria e tij, gjatë bashkëjetesës me familje çame në qendër të Tiranës, ku mirësia e çamëve gërshetohej me mikpritjen tiranase.

Është e vërteë se çamët asnjëherë nuk kanë qenë vetëm, madje në Tiranë janë ndier më mirë se kudo, tha drejtuesi i fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu. Si dimension tepër i dhimbshëm i tragjedisë kombëtare, tha më tej zoti Veliu, Çamëria nuk i përket vetëm çamëve. Veprimtari si kjo na bashkojnë, duke dhënë mesazhin e madh: të jemi të gjithë bashkë si shqiptarë! Me fondacionin ALSAR dhe drejtuesin e saj, zotin Mehdi Gurra, kemi një bashkëpunim afatgjatë dhe të shkëlqyer, në të mirë të çështjes kombëtare. Fondacioni ka krijuar një platformë të gjerë bashkëpunimesh me shoqata, institucione, personalitete dhe individë të shquar, të shqetësuar realisht për çështjen kombëtare, pa bërë llogari të ngushta personale. Kjo ka qenë filozofia jonë e bashkëpunimit, kjo është perspektiva e veprimtarive tona, për të qëndruar të bashkuar përballë historisë dhe së vërtetës, për ta nxitur kombin të përqafojë vetveten dhe të kërkojë të drejtat e tij të mohuara, mbi bazën e parimeve universale të drejtësisë. Faleminderit për mbështetjen që i keni dhënë Çamërisë, përfundoi fjalën e tij zoti Alket Veliu.

Në fund të aktivitetit, nga të tre përfaqësuesit në këtë akivitet përkujtimor, në 82 vjetorin e gjenocidit grek në Çamëri, u firmos një Rezulutë, drejtuar forumeve të larta ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, OSBE-së, si dhe dy qeverive respektive, shqiptare dhe greke. Duke e konsideruar çështjen çame si çështje të të Drejtave të Njeriut që lidhen me të Drejtën Ndërkombëtare, në Rezolutë theksohet se, nga analizat historike dhe juridike, del se masakrat dhe spastrimi etnik, i kryer nga shteti grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, bien ndesh drejtpërdrejt me disa instrumente kryesore ligjore dhe Greqia ka dështuar të përmbushë detyrimet ndërkombëtare ndaj konventave kundër gjenocidit, duke shmangur përgjegjësitë dhe duke mbajtur në fuqi ligje diskriminuese.

Të pranishmit vizituan më pas edhe një ekspozitë tematike dokumentare dhe informuese për gjenocidin, si dhe këndin e librit me botime të fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, kushtuar Çamërisë. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB