POSTIMET E FUNDIT

Rama–Macron dy orë dialog në Elysee

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një drekë pune në Pallatin Elysee në Paris me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Në qendër të bisedimeve ishin marrëdhëniet mes dy vendeve dhe perspektiva e partneritetit strategjik.

Vizita u zhvillua në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës, me synim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

Diskutimet përfshinë qasjen e re ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian si dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Ankara.

Pas bisedimeve, Macron reagoi në platformën “X”, ku përshëndeti Ramën dhe vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës në fusha si inovacioni, arsimi, kultura dhe turizmi. Ai theksoi se dy vendet dëshirojnë t’i japin një shtysë të re bashkëpunimit ekonomik dhe në mbrojtje, ndërsa Franca rikonfirmoi mbështetjen e saj për integrimin europian të Shqipërisë.

“Mirë se erdhe, i dashur Edi Rama! Dinamika shumë e mirë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Francës në inovacion, arsim dhe arsim të lartë, kulturë dhe turizëm, dëshmojnë për afërsinë tonë. Ne duam t’i japim një shtysë të re, duke vazhduar të forcojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe të mbrojtjes. Franca riafirmon mbështetjen e saj për integrimin evropian të Shqipërisë dhe ndjekjen e reformave të nevojshme për të ecur përpara në rrugën e saj evropiane”, shkroi Macron.

Edhe kryeministri Edi Rama reagoi pas takimit, ku shprehu falënderimet për pritjen nga presidenti Macron.

“Shumë faleminderit zoti president. Kënaqësi sot takimi me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron”, shkruan Rama.

Ky dialog i vazhdueshëm mes Tiranës dhe Parisit konfirmon angazhimin e dy vendeve për të thelluar partneritetin strategjik.

Takimi i sotëm vjen si vijimësi e kontakteve të rregullta mes dy liderëve. Rama dhe Macron janë takuar zyrtarisht në Paris në prill 2024, në Tiranë në tetor 2023 dhe maj 2025, ndërkohë që kanë mbajtur komunikime të shpeshta në formate multilaterale dhe përmes kontakteve telefonike, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB