POSTIMET E FUNDIT

Tre Dekada Traditë, Qëndresë dhe Dashuri për Medvegjën

Nga Florim USEINI, Zvicër

Me ftesë të kryetarit të Shoqatës Humanitare Medvegja z. Zenel Neziri, pata nderin të marr pjesë në manifestimin tradicional kulturo-sportiv në Fully të Zvicrës, së bashku me Ambasadorin Rexhep Demiri dhe mikun Shabi Matnjani.

Ishte një kënaqësi e veçantë të takonim shumë miq e veprimtarë të çështjes kombëtare, ndër ta mikun Dashnim Hebibi , Bekim Imeri, Gjenis Haxhimehmeti, Naim Kurti dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë që prej dekadash kontribuojnë për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar në mërgatë.

Ky organizim nuk është thjesht një manifestim. Është një histori suksesi që vazhdon prej tre dekadash. Është dëshmi e përkushtimit të një komuniteti që nuk harron vendlindjen dhe rrënjët e tij. Pak shoqata mund të mburren me një traditë kaq të gjatë dhe me një pjesëmarrje kaq masive vit pas viti. Edhe më i veçantë është fakti se ky aktivitet zhvillohet në ambient të hapur, me mbështetjen dhe mirëkuptimin e komunës vendase, e cila ua mundëson bashkatdhetarëve tanë që të festojnë deri në orët e vona të natës.

Medvegja mbetet një plagë e hapur e kombit tonë. Një trevë shqiptare që për dekada ka përjetuar shpërngulje, diskriminim dhe zbrazje të vazhdueshme. Shumë familje janë detyruar të largohen, ndërsa ata që kanë mbetur vazhdojnë të përballen me sfida të shumta për të ruajtur identitetin, gjuhën dhe pronat e tyre.

Prandaj organizime të tilla kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Ato nuk janë vetëm festa. Janë një mesazh se Medvegja nuk është harruar. Janë një dëshmi se bijtë dhe bijat e saj, kudo që jetojnë, vazhdojnë të jenë të lidhur me vendlindjen dhe të gatshëm të mbështesin kauzën e saj.

Urime Shoqatës Humanitare Medvegja për këtë punë të palodhur dhe për ruajtjen e kësaj tradite të çmuar prej 30 vitesh. Qoftë kjo veprimtari një frymëzim për të gjitha shoqatat tona në diasporë që të vazhdojnë të punojnë për unitet, kulturë, identitet dhe mbështetje të trojeve tona shqiptare.

Medvegja ka nevojë për zërin tonë.

Medvegja ka nevojë për kujtesën tonë.

Medvegja ka nevojë për veprimin tonë.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB