POSTIMET E FUNDIT

Medvegja bashkon shqiptarët në Zvicër, sonte nga ora 19.00 spektakël i madh në Fully

Përgatiti Dashnim Hebibi

Fully, Zvicër – Sonte, duke filluar nga ora 19:00, stadiumi në Rue du Stade 56, 1926 Fully, do të shndërrohet në qendrën e madhe të shqiptarëve në Zvicër, ku do të mbahet një nga koncertet dhe manifestimet kulturore më të veçanta të këtij viti.

Në një atmosferë të mrekullueshme verore dhe me një mot të freskët e të përshtatshëm për festë, bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare pritet të mblidhen për një mbrëmje të mbushur me muzikë, kulturë, traditë dhe solidaritet në mbështetje të Medvegjës. Organizatorët kanë njoftuar se, për arsye tashmë të njohura për publikun, këngëtari i mirënjohur Sinan Vllasaliu nuk do të mund të jetë i pranishëm në këtë manifestim. Megjithatë, në vend të tij do të performojë këngëtari shumë i dashur për publikun shqiptar dhe veçanërisht për mërgatën tonë, Meda, i cili pritet të sjellë atmosferë të jashtëzakonshme në skenë. Përveç Medës, para publikut do të ngjiten edhe Ryva Kajtazi dhe 2 Ton, ndërsa Shoqëria Kulturo-Artistike “Medvegja” do të prezantojë vallet dhe traditat tona kombëtare, duke i dhënë ngjarjes ngjyra autentike shqiptare. Ky aktivitet nuk është vetëm një koncert. Ai përfaqëson një dëshmi të fuqishme të bashkimit, krenarisë kombëtare dhe humanizmit shqiptar. Çdo pjesëmarrës bëhet pjesë e një misioni me vlerë të veçantë për Medvegjën, duke kontribuar në ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve tona kombëtare. Sipas organizatorëve, sonte pritet pjesëmarrje e madhe e mërgatës shqiptare, ndërsa në manifestim do të jenë të pranishëm edhe personalitete të ndryshme nga jeta publike, kulturore dhe shoqërore. Shoqata “Medvegja”, e njohur si njëra ndër shoqatat më aktive dhe më të fuqishme shqiptare në Zvicër, së bashku me kryesinë dhe anëtarët e saj, u bëjnë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që t’i bashkohen kësaj nate festive.

“Ejani sonte në Fully! Le të këndojmë, të vallëzojmë dhe të festojmë së bashku si një familje e madhe shqiptare. Medvegja ju mirëpret!” – është mesazhi i organizatorëve.

Sonte, nga ora 19:00, stadiumi në Fully do të jetë vendtakimi i shqiptarëve. Një mbrëmje që premton emocione, muzikë, traditë dhe mbi të gjitha bashkim. / HelveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB