
Nga Dashnim Hebibi
KREUZLINGEN, 20 qershor 2026 – Sot, Ansambli “TROJET” me qendër në Winterthur do të përfaqësojë me krenari kulturën, traditat dhe vlerat kombëtare shqiptare në festivalin e madh shumëkulturor CHRÜZLINGER FÄSCHT 2026, që zhvillohet në Boulevard Kreuzlingen të Zvicrës. Ky manifestim konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, ku marrin pjesë mbi 40 kombe nga e gjithë bota, duke prezantuar identitetin, traditat dhe kulturat e tyre përpara mijëra vizitorëve. Ansambli “TROJET”, i cili prej vitesh është shndërruar në një nga promotorët më aktivë të kulturës shqiptare në Zvicër dhe diasporë, do të ngjitet në skenë në orën 15:00 me një program artistik prej 20 minutash. Në këtë paraqitje do të interpretohen dy këngë dhe valle të përzgjedhura nga udhëheqësit artistikë të ansamblit, duke sjellë para publikut bukurinë dhe pasurinë e folklorit shqiptar. Në program do të paraqitet edhe solistja e njohur Eliza Zeqiri, ndërsa vallet artistike do të interpretohen nga grupi i mesëm i Ansamblit “TROJET”, i cili vazhdon të dëshmojë nivel të lartë artistik dhe përkushtim në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Pjesëmarrja e Ansamblit “TROJET” në këtë festival është shumë më tepër sesa një paraqitje artistike. Ajo përfaqëson një mision të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar shqiptar, gjuhës, zakoneve dhe traditave tona në diasporë. Përmes këngëve, valleve dhe kostumeve tradicionale, ansambli vazhdon të ndërtojë ura miqësie mes kulturave dhe të prezantojë denjësisht vlerat shqiptare para opinionit ndërkombëtar.

Një mirënjohje e veçantë shkon për komunitetin shqiptar në Kreuzlingen, të udhëhequr nga veprimtari i palodhur Avni Avdyli, i cili së bashku me familjen dhe bashkëpunëtorët e tij ka punuar me përkushtim për organizimin e pjesëmarrjes shqiptare në këtë manifestim të rëndësishëm kulturor. Në kuadër të festivalit janë vendosur edhe stenda shqiptare, ku vizitorët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me kulturën, historinë, traditat, turizmin dhe gastronominë shqiptare. Të pranishmit do të mund të shijojnë gatimet tradicionale shqiptare, mikpritjen e njohur të shqiptarëve dhe atmosferën festive që e karakterizon komunitetin tonë. Flija, byreku dhe specialitete të tjera kombëtare do të prezantohen gjatë gjithë ditës për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë.
Për portalin Helveticaforum.ch, kryetari i Ansamblit “TROJET”, Zeqë Gashi, u shpreh optimist për paraqitjen e sotme dhe ftoi bashkatdhetarët të jenë pjesë e këtij aktiviteti.
“Presim që të paraqitemi sa më mirë me programin tonë dhe ftojmë të gjithë bashkatdhetarët të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre. Falënderoj prindërit, stafin e ansamblit, kryesinë, Forumin e Gruas dhe të gjithë ata që po angazhohen që ne të jemi pjesë e këtij programi. Ne jemi një familje e madhe në ansambël”, tha ai.
Gashi theksoi se puna në ruajtjen e kulturës dhe traditave shqiptare nuk është e lehtë, por mbetet një mision kombëtar.
“Nuk është e lehtë të jesh vazhdimisht i angazhuar. Sot, në vend që të jemi me familjet tona, jemi në aktivitet pa asnjë interes personal dhe shpesh me shpenzimet tona. Kjo nuk ndodh vetëm sot, por prej dekadash. Megjithatë, nuk mund të ndalemi, sepse në pyetje janë atdheu, gjuha dhe traditat tona. Jemi krenarë që fëmijët, nipërit dhe mbesat tona do ta vazhdojnë këtë rrugë dhe këtë traditë”, deklaroi ai.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për shtetin zviceran, i cili ka krijuar mundësi që komunitetet e huaja të ruajnë dhe kultivojnë identitetin e tyre kulturor, duke shpresuar njëkohësisht për një mbështetje më të madhe edhe nga institucionet e vendeve tona amë për të gjithë ata që punojnë në ruajtjen e gjuhës dhe traditave kombëtare në diasporë. Ansambli “TROJET” me qendër në Winterthur vazhdon të jetë një shembull i përkushtimit, profesionalizmit dhe dashurisë për kulturën shqiptare. Përmes punës së palodhshme të drejtuesve, artistëve, prindërve dhe mbështetësve të tij, ansambli është shndërruar në një ambasador të vërtetë të vlerave shqiptare në Zvicër dhe më gjerë.
Sot, në Kreuzlingen, ngjyrat kuqezi do të valojnë krenarisht, ndërsa tingujt e muzikës dhe valleve shqiptare do të dëshmojnë edhe një herë se tradita jonë jeton dhe përcillet me sukses brez pas brezi.cMirë se vini dhe suksese Ansamblit “TROJET”!




