Nga Sokol Paja, SHBA
Shoqata “Open Hand Association” festoi 15 vjetorin e themelimit në Bronx, New York duke bashkuar shoqata shqiptare, veprimtarë e aktivistë të komunitetit shqiptar, personalitete politike amerikane lokale, biznesmenë, media e artistë në një darkë krenarie e lavdie për shqiptarët e New York e jo vetëm. Nën prezantimin brilant nga Mary Camaj e Ardhmir Dula, pjesëmarrësit përjetuan çaste gëzimi, falenderimi e mirënjohjeje ndaj punës dhe angazhimit komunitar e shembullit të shkëlqyer qytetar të shqiptarëve në New York e më gjerë. Gjatë 15 viteve të fundit, shoqata “Open Hand Association” ka pasur një shtrirje dhe prezencë gjithnjë në rritje dhe ka mbështetur me përkushtim e respekt individët dhe familjet në nevojë duke ofruar ushqim, veshmbathje dhe ndihmë thelbësore për të gjithë personat në nevojë. Çdo javë, kjo shoqatë bamirësie u shërben më shumë se 1,000 njerëzve në të gjithë komunitetin shqiptare pjesëtarëve të komuniteteve të tjera. Kjo darkë festive përveç se mirënjohje për mbështetësit e pjesëmarrësit, është një mbështetje për të ardhmen e misionit humanitar në shërbim të komunitetit shqiptar.

Themeluesi Aleksandër Nilaj në fjalim e tij emocionues kujtoi momentet e themelimit, vështirësitë e fillimit, punën e jashtëzakonshme të vullnetarëve e bujarinë e kontributorëve, dhuruesve e donatorëve. Këshilltarja e qytetit të New York-ut znj.Shirley Aldebol, drejtuesja e Rajonit Policor 49 në New York znj.Juliann Stapleton vlerësuan punën humanitare dhe komunitare të Aleksandër Nilaj dhe stafit tij të bashkëpunëtorëve, vullnetarëve e kontributorëve. Përveç fjalimeve motivuese e mirënjohëse, para pjesëmarrësve grupi artistik “Nora e Kelmendit” emocionoi me valle tradicionale shqiptare duke e kthyer festën në një darkë mbresëlënëse edhe për amerikanët e pranishëm.

Në përfundim të ceremonisë u nderuan me mirënjohje: Andrea Siegel, Prena Grishaj, Muhammet AH Bhuyan, Bishop Dr. Luis E. Paniagua, S.Anthem (Blue Cross Blue Shield), Eduart Dede, Vera Markaj (United Health Care) &.Lilyana Pekic, Joseph & Deborah McManus, Amanda Farias, John Zaccarol Jr., Natalia Fernandez, Hazel Miura, Edith Blizter, Mark Gjonaj, Ritchie Torres, Tony & Tina Musaj, Dritan Haxhia, Adama Bah, Damon Rollins, Patrick Cronon, Monica Morales, Michel Triangle. /GD




