Cyrih, 19 qershor 2026 – Në ambientet e Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih siç mëson helveticALForum.ch u mbajt një mbrëmje letrare kushtuar poezisë, fjalës artistike dhe vlerave kombëtare, gjatë së cilës u promovua krijimtaria poetike e autorit Ilmi Tahiri. Në këtë aktivitet kulturor u prezantuan shtatë veprat poetike të botuara ndër vite nga autori: “Sytë ka Atdheu”, “U ktheva Atdhe”, “Për ty Kosovë”, “E bukura Shqipëri”, “Për ty Atdhe”, “Shqipëria do të bashkohet përsëri” dhe përmbledhja me poezi për fëmijë “Fluturat e Atdheut”. Përmes këtyre veprave, autori sjell tema që lidhen me dashurinë për atdheun, identitetin kombëtar, historinë dhe kulturën shqiptare. Mbrëmja mblodhi bashkatdhetarë, krijues, dashamirë të librit dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare në Zvicër, duke e shndërruar promovimin në një festë të fjalës së shkruar dhe të krijimtarisë letrare shqiptare. Të pranishmit patën mundësinë të njihen më nga afër me veprat e autorit dhe të diskutojnë mbi rëndësinë e letërsisë në ruajtjen e identitetit kombëtar në mërgatë.

Me këtë rast, Shefi i Misionit Konsullor në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë dhe mbështetjen e tyre ndaj aktiviteteve kulturore, duke vlerësuar kontributin e autorit në pasurimin e letërsisë shqipe. Ai i uroi poetit Ilmi Tahiri suksese të mëtejshme në krijimtarinë e tij letrare dhe botime të reja në të ardhmen. Organizatorët theksuan se aktivitete të tilla kanë rëndësi të veçantë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe traditave kombëtare në diasporë, duke forcuar njëkohësisht lidhjet kulturore ndërmjet mërgatës shqiptare në Zvicër dhe vendlindjes. Mbrëmja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese, duke dëshmuar interesimin e vazhdueshëm të komunitetit shqiptar në Zvicër për librin, poezinë dhe vlerat kombëtare, transmeton helveticALForum.ch.
Foto nga KPK




